Ministri i Jashtëm i Iranit tha se Teherani dhe Uashingtoni besojnë se bisedimet pë rprogramin bërthamor duhet të rifillojnë së shpejti pas negociatave indirekte në Oman.
Abbas Araghchi deklaroi se të dyja palët ranë dakord që diskutimet duhet të rifillojnë së shpejti, duke shtuar se nuk ka një afat të rënë dakord për takimin e radhës.
Por sipas tij, çështjet që lidhen me programin raketor të Iranit dhe pasurimin e uraniumit janë të papranueshme për negociatat e ardhshme.
“As tani e as në të ardhmen nuk mund të mbahen negociata për raketat, sepse kjo është një çështje mbrojtëse.Çështja e ndalimit të pasurimit nuk është e negociueshme nga këndvështrimi i Iranit”., theksoi ministri.
Araghchi shtoi se Irani do t’i përgjigjej çdo sulmi të mundshëm amerikan.
“Nëse Irani sulmohet, ne do të shënjestrojmë bazat amerikane në rajon”, deklaroi ai.
Më 6 shkurt, delegacione nga Teherani dhe Uashingtoni zhvilluan bisedime të ndërmjetësuara nga Omani. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se diskutimet ishin shumë të mira
“Irani duket se dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje. Duhet të shohim se çfarë marrëveshjeje është ajo,” tha presidenti në bordin e Air Force One.
Bisedimet u zhvilluan ndërsa ushtria amerikane po forcon praninë e saj në Lindjen e Mesme, si reagim ndaj shtypjes së dhunshme nga Irani të protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë muajin e kaluar. Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se nga këto përplasje janë vrarë mijëra persona.
Në javët e fundit, presidenti Trump ka kërcënuar se do ta bombardojë Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje. SHBA-ja ka dërguar mijëra trupa dhe atë që Trump e ka quajtur një “armadë” në rajon, përfshirë një aeroplanmbajtëse, anije luftarake dhe avionë luftarakë.




















