Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka përshëndetur kërkesën e studentëve shqiptarë të juridikut në Maqedoninë e Veriut të cilët kërkojnë të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Përmes një statusi në llogarinë e saj të “Facebook”, shefja e diplomacisë shqiptare përgëzon studentët shqiptarë për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre për përdorimin e gjuhës shqipe në përputhje me të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.
Spiropali vijon më tej teksa vlerëson gatishmërinë e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht Kryeministrit Mickoski dhe Zëvendëskryeministrit Sali, për ta trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe në përputhje me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor të vendit.
STATUSI I PLOTË:
🇦🇱🇲🇰Përgëzojmë studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre për përdorimin e gjuhës shqipe në përputhje me të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi. 📚
Vlerësojmë gjithashtu gatishmërinë e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht Kryeministrit Mickoski dhe Zëvendëskryeministrit Sali, për ta trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe në përputhje me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor të vendit.
Dialogu, zgjidhjet institucionale dhe respekti për të drejtat mbeten rruga më e sigurt për forcimin e besimit dhe standardeve demokratike. 🤝📜




















