Kreu i PD, Sali Berisha vijon të mohojë faktin se militantët e tij hodhën molotovë tek Xhamia e Namazgjasë, në protestën e dhunshme të 20 shkurtit.
Për gazetarët, Berisha tha se protestuesit mbajtën qëndrim korrekt ndaj xhamisë dhe fajësoi policinë, se ka hedhur gaz lotsjellës dhe ka futur dhjetëra efektivë brenda ambienteve.
Berisha insistoi se u hodh gaz lotjsjellës edhe në oborrin e selisë së PD.
“Ne kemi mbajtur qëndrimin më korrekt ndaj xhamisë, asnjë protestë, asnjë protestues nuk ka kaluar në segmentin nga Ura e Tabakut tek dera e parlamentit. I kemi përjashtuar tërësisht nga veprimtaria protestuese. Por, këta banditë kanë hedhur sasi të pafundme gazi për të revoltuar besimtarët që falnin namazin. Kanë futur me dhjetëra trupa në tarracat e xhamisë. Cili është qëndrimi ynë?
Qëndrimi ynë është ky. A e patë sa hodhën gaz në territorin e PD dhe bomba tymuese? Mirëpo ajo është rruga e derës tonë, nga ajo rrugë ne do hyjmë. Kështu që i garantoj besimtarët se në mënyrë absolute, në territorin karshi xhamisë, PD nuk do zhvillojë asnjë aktivitet proteste. Por natyrisht i garantoj organizatën kriminale se nuk do mund të mbrojnë parlamentin duke u betuar se gjoja po mbrojnë xhaminë. Njerëz të pafe, pa din, pa imam, njerëz që vjedhin qytetarët e tyre, nuk kanë asgjë të përbashkët as me besimin, as me xhaminë, as me kishën, as me teqenë”, theksoi kryedemokrati.
Partinë Socialiste, Berisha e konsideron organizatë kriminale.
“Ajo është një repart krimi Osman. Ajo parti ka faktuar shqiptarëve që është mater matrix e krimit në Shqipëri. Nuk ka. Ajo parti ka krimin substancën, shpirtin, mendjen e vet. Sepse është ajo parti që ka sjellë këtë situatë, është ajo tolerancë, ajo bashkëfajësi që kanë ata në vjedhje dhe të gjitha, dhe ajo parti nuk është gjë tjetër vetëm parti e krimit. Aty Sara Mile dhe Arkend Balla janë lule çfarë janë ministrat dhe zyrtarët e tjerë të implikuar. Prandaj, unë mendoj se mund ta përdorni fjalën parti, por më shumë se çdo gjë tjetër i shkon fjala organizatë kriminale”, deklaroi kreu i PD.
Lidhur me protestën e 28 shkurtit, Berisha nënvizoi se këtë herë demokratët kanë kreativitet dhe do të eksplorohen forma të reja, duke mos përjashtuar as bllokimin e rrugëve.
“Po dakordësohemi. Ndryshe do jetë. Ne tani kalojmë në forma të ndryshme protestash, i diversifikojmë, kemi kreativitet. Do eksplorohen forma të reja. Të gjitha format janë në konsideratë dhe kjo është vetëm protestë. Ne kemi vetëm protestë. Asgjë nuk përjashtohet. Të jemi realistë. Opsionet janë të gjitha”, përfundoi Berisha.
Në protestën e dhunshme të Sali Berishës më 20 shkurt, molotovët nuk kursyen as xhaminë e Namazgjasë ndërsa besimtarët po luteshin në muajin e shenjtë të Ramazanit.
Pamjet nga protesta treguan se si protestuesit të udhëhequr nga Berisha e të tjerë deputetë afrohen për nga parlamenti. Molotovët u hodhën në drejtim të policisë së vendosur aty pranë, si edhe në hyrje të Xhamisë së Namazgjasë.
Akuzat e Sali Berishës kundrejt policisë bien edhe pamjet e publikuara, ku dhëndri i tij Jamarbër Malltezi shfaqet në ballkonin e Xhamisë së Namazgjasë dhe u jep instruksione protestuesve.
Në videon e publikuar nga portali mediatik i lidhur me besimtarët myslimanë, Mexhlis dallohet Malltezi i cili jo vetëm që orienton protestën dhe militantët, por në një moment shfaqet edhe me dy gishta në xhami, simbolin e Partisë Demokratike.




















