Kuvendi i Shqipërisë ka ndërprerë punimet me kërkesë të kreut të grupit të PS, Taulant Balla, i cili kërkoi që Kuvendi të dalë me një deklaratë urgjente për gjyqin ndaj ish krerëve të UÇK në Hagë. Balla e quajti të turpshme aktakuzën e Prokurorisë Speciale, ndërsa tha se po hidhet baltë për luftën clirimtare.

” Ditën e hënë jemi njohur me një aktakuzë të turpshme në ngarkim të 4 udhëheqësve të UÇK-së. 180 vjet burg janë kërkuar ndaj udhëheqësve të UÇK-së një aktakuzë e padëgjuar, ndërkohë që për asnjërin nga personat e marrë përgjegjës penal të ushtrisë serbe në Kosovë nuk ka ndodhur gjë e tillë. Vetëm për Ratko Mladiç është kërkuar 40.

Kërkesa për procedurë është Kuvendi i Shqipërisë të ndërpresë punimet menjëherë, të ngarkojmë zotin Hasani dhe zotin Shehu në Komisionin e Politikës së Jashtme dhe të përgatisim me urgjencë një deklaratë të Kuvendit të Shqipërisë, e cila duhet të gëzojë mbështetjen e të gjitha palëve në Kuvendin e Shqipërisë për t’i bërë qartë Hagës dhe çdo aktori tjetër se Shqipëria dhe shqiptarët, populli shqiptar nuk mund ta pranojnë një baltë të tillë.

Hedhur kundër një lufte çlirimtare, sikurse ka qenë ajo e popullit shqiptar të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo deklaratë e Kuvendit të Shqipërisë duhet të miratohet menjëherë dhe ti që i ke shërbyer gjithë jetën tënde Serbisë, liro atë foltore se lë nam”,- tha Balla.