Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho thotë se kreu i PD, Sali Berisha kërkon destabilizim në vend, për të ruajtur familjen dhe veten e tij, ndaj bën protesta të dhunshme.

Në një intervistë për “Studio Live” me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Braho u shpreh se aktualisht, sot në Tiranë janë tre qendra për prodhimin e molotovëve, nën dirigjimin e Berishës.

Sipas Brahos, Berishës nuk i intereson që policët lëndohen nga hedhja e molotovëve, apo që përdor fëmijët për hedhjen e tyre.

“Protesta nuk ka sjellë asgjë për ato që çirret Sali Berisha, më tepër e ka ngatërruar dhe e ka ngushtuar fokusin e objektivave që ka opozita. Çfarë ka sjellë? Ju mendoni se në 20 shkurt, kryengritja që thërret Saliu do sjellë ndryshim? Asnjë ndryshim nuk ka, do rrinë 2-3 orë atje, do hedhin fishekzjarre, molotovë dhe do ikin. Ky është skenar që bëhet vetëm për qëllimet e Sali Berishës, në forcimin e pozitës së tij, vetëm për qëllime personale. Ata që do e pësojnë janë vetëm policët. Ky kriminel, qelbësirë, nuk i bëhet gajre fare se ende në spital sot janë dy policë në gjendje të rëndë, të djegur nga molotovi. Nuk i bëhet vonë se dhjetëra fëmijë u angazhuan për të hedhur molotov. Sot në Tiranë janë 3 qendra ku prodhohen molotovi, tre mini ofiçina, ku prodhohet molotovi. Molotovi është armë luftarake. Me molotovë, ushtria sovjetike nxorri jashtë loje, tanket e gjermanëve kur sulmuan edhe Kurskun, dhe Stalingradin. Pra, po prodhohen mjete luftarake nën dirigjimin dhe drejtimin e Sali Berishës, organet përkatëse bëjnë sehir. Kryengritja thotë paqësore, nëse është kryengritje, nuk është paqësore. Kryengritjet duan dhunë, gjak, të vrarë. Ajo është biografia politike e Sali Berishës. Të vrasë, të krijojë destabilizim në Shqipëri. Policia ka kohë deri në datë 20, të identifikojë qendrat dhe personat që merren me prodhimin e këtyre mjeteve luftarake, siç është edhe molotovi.”, theksoi ai.

Braho shtoi se pafuqia e mazhorancës dhe drejtësisë, ka bërë që Berisha të jetë i lirë, edhe pse bëri dogji vendin dhe bëri grushtin e shtetit në vitin 1998.

Ish-deputeti nënvizoi se shumë shpejt, kryedemokratit do i tregohet vendi.

“Është pafuqia e mazhorancës, që e ka lejuar Berishën pas 1997 të vazhdojë normalisht, sikur nuk ishte ky që dogji Shqipërinë, që bëri grushtin e shtetit. Është paaftësia e organeve të drejtësisë, që e kanë lënë të livadhisë në këtë mënyrë, ai ka qëndruar 4 vjet pa imunitet, në rastin e grushtit të shtetit në vitin 1998. Nga 1998-2013 nuk u thirr nga organet e drejtësisë. Ishte e pafuqishme mazhoranca, organet e drejtësisë. Është iluzion i një të çmenduri, të sëmuri psiqik, i një vrasësi gjakftohtë, që mendon se edhe për arsye të ruajtjes së familjes së tij, i duhet të vazhdojë politikën në atë mënyrë siç vepron. Shumë shpejt, atij do t’i tregohet vendi, se tani janë shtuar edhe faktorë të tjerë, ky është non grata, jo vetëm për Amerikën, por edhe opinionin. Ai sot nominohet si person që sjell ngatërresa, pengon zhvillimet demokratike në Shqipëri. Ndryshimi i ekipeve drejtuese, si majtas, si djathtas, duhet të realizohet, sa më parë. Vetëm atëherë do ndryshojë fati i këtij vendi, që po vuan”, deklaroi Braho.

Braho tha se e vetmja pendesë e tij, është që PS nuk arriti ta largojë Berishën nga skena politike.

“Sa e kishim në dorë, nuk e qëruam Sali Berishën. Kështu i thashë një mikut tim, dhe një nga drejtuesit kryuesorë të PS. Saliu doli në pension, u rikthye. Ne dolëm në pension dhe i thashë, o miku im, po si na nxorri Saliu në pension dhe nuk ishim të zotë ta qëronim atë gangrenë nga politika. Edhe ai, edhe unë qeshëm. Nuk kishim gjë në dorë. E keqja ka hyrë thellë në zhvillimet e këtij vendi, dhe nuk po del, por jo se nuk do dalë. Brenda një kohe shumë të shkurtër do kemi ndryshime të mëdha.”, tha ai.

Braho ritheksoi se Berisha ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, i rekrutuar nga shërbime të huaja dhe nofkën e ka pasur “Penicilina”.

“Truri i njeriut, është një lloj USB-je. Shumë gjëra ruhen dhe nuk thuhen. Unë kam thënë që 9 ministrat në qeverinë e parë të Sali Berishës kanë qenë bashkëpunëtorë të UDB-së, apo edhe të Sigurimit të Shtetit. Më kanë kërkuar emrat, disa emra i kam shfaqur. Unë vazhdoj t’i bie përsëri kësaj gjë, Sali Berisha ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, i rekrutuar nga shërbime të huaja. I kam treguar edhe pseudonimin që ka pasur, edhe personi që e ka rekrutuar. E ke, Penicilina”, u shpreh ai.