Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi nisjen e rekrutimeve për kadetët e shkollave ushtarake, ndërsa prezantoi një plan të zgjeruar për fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe zhvillimin e industrisë ushtarake në vend.
Gjatë një konference për shtyp, Vengu njoftoi se aktualisht janë hapur 326 vende pune, ndërsa rekrutimet kanë nisur. Sipas tij brenda këtij muaji do të përzgjidhen fillimisht 40 kandidatë, të cilët do t’i nënshtrohen një testimi rigoroz, për të përzgjedhur më pas 10 më të mirët.
“Fillojmë këtë muaj rekrutimet për kadetët e shkollave. Do të përzgjidhen fillimisht 40 vetë do kalojnë një testim rigoroz dhe nga ata do të përzgjidhen 10. Kjo më jep mundësin që të them disa fjalë për rritjen e kapitalin njerëzor për industrinë ushtarake. Kemi 326 vende pune dhe kanë filluar rekrutimet. Nga këto 49 janë inxhinierë dhe 68 janë teknikë që synojmë ti marrim nga shkollat profesionale më të mira në vend. Kemi 40 ekspertë që të po i trajnojmë. Trajnimi i suksesshëm lidhet me prodhimin e mëtejshëm”, u shpreh Vengu.
Sa i përket kalendarit të prodhimit, në muajin prill parashikohet nisja e prodhimit të dronëve, në maj ai i tekstileve, fillimisht për uniformat e Policisë, ndërsa në korrik është vendosur si objektiv fillimi i prodhimit të municioneve ushtarake.
“Në prill kemi dronët, në maj përfundon ndërtimi i fabrikës teksitle për prodhimin e uniformave. Janë bërë porositë e para fillimisht për policinë e shtetit dhe njësitë e veçanta të FA. Në korrik është data që i kemi vendosur vetes për prodhimin e municioneve ushtarake. Një element tjetër shumë i rëndësishëm është që të integrojmë kompanitë tona me ato ndërkombëtare. Në zinxhirin tonë ne kemi edhe përfshirjen e kompanive të mëdha. Në mënyrë që të kemi produkte të certifikuara dhe të marrim sa më shumë dije. Elementi i fundit, është përmbyllur negociata për findkatierit, për prodhimin e anijeve në Pashaliman, një vit e gjysmë që punojmë në këtë drejtim. Një arritje të Forcat Detare”.




















