Nga Mero Baze
Ka dy lajme të këqija nga protestat. E para është se ato nuk u shndërruan dot në protesta qytetare dhe mbetën të izoluara brenda militantëve të PD dhe atyre të sjellë me autobusë në Tiranë. Dhe e dyta që sot zyrtarisht PD hoqi dorë nga protestat e qytetarëve dhe kaloi në revolta me akte të dhunshme përmes mercenarëve me pagesë.
Dështimi i protestave të opozitës për t’u bërë protesta qytetare dhe të merrnin mbështetje masive nga qytetarët erdhi për shkak të Sali Berishës. Dhe do të vijë gjithnjë prej tij. Njeriu që mban larg popullin opozitar nga protestat në emër të opozitës është Sali Berisha. Ai është simbol i mungesës së alternativës së opozitës dhe e mban opozitën të izoluar nga shoqëria shqiptare.
Është kjo arsyeja që Sali Berisha urdhëroi kalimin nga protestat qytetare në protestat me mercenarë të armatosur me molotov. Është hakmarrja e tij ndaj injorimit që i bëri shoqëria shqiptare.
Në rrugët e Tiranës po sulmohen dyqane, biznese, kazanë mbeturinash dhe institucione me molotov. Nuk paraqesin ndonjë rrezik real për to, përveç dëmeve simbolike, por paraqesin një rrezik real për izolimin e opozitës nga qytetarët dhe kthimin e saj në një organizatë që menaxhon vrasës me pagesë.
Dhe kjo do të ketë efekt afatgjatë kundër tyre.
Për një kohë të gjatë thirrjet për pjesëmarrje të qytetarëve në protestat e tyre do të ndeshen me hezitimin për të qenë pjesë e një grupi banditësh me molotov në shpinë që djegin biznese dhe institucione me kapuçë në kokë e zhduken në errësirë.
Nga ana tjetër, raportet e PD me këtë grup kriminal do të kriminalizojnë të ardhmen e saj, pasi PD do të detyrohet të jetë peng i këtyre njerëzve që përdor për akte kriminale duke tentuar t’i shpërblejë në të ardhmen.
Kjo do ta kthejë PD-në në një parti të tipit palestinez, ku karriera dhe e ardhmja do të maten me molotovët dhe gurët e hedhur në protesta , në një intifadë të gjatë, madje më të gjatë se ajo e Arafatit.
Pra dështimi për të bërë protesta dhe dëshpërimi për të djegur Tiranën me molotov janë sinjali më i keq për opozitën dhe oksigjeni më i mirë që i japin qeverisë në këto kohë të vështira për qeverinë, jo për shkak të opozitës, por për shkak të problemeve të tyre. I vetmi aleat i qëndrueshëm i qeverisë në këto kohë është kjo alternativa e molotovëve dhe kapuçëve të zinj që djegin Tiranën.
Ky degradim nuk nxjerr në rrugë as mbështetësit e opozitës, të cilët në shumicë janë normalë.
Kjo e delegon protestën e opozitës tek një grup kriminal, me të cilin qeveria bën sikur lufton, por e dëshiron gjithnjë në rrugë për t’u treguar se kë ka përballë: ata që nuk nxjerrin dot as fytyrën, as emrin, por vetëm shishen e molotovit.




















