Partia Demokratike do të mbajë sot në orën 18:00 protestën kombëtare përpara Kryeministrisë.

Nga ana tjetër, Policia e Tiranës pasi është njoftuar nga PD-ja për zhvillimin e protestës, bëri me dije paraditen e kësaj të premteje se i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.

Policia sqaroi se ky vendim vjen pas akteve të dhunës së regjistruar në protestën e 10 shkurtit, ku 16 efektivë policie mbetën të plagosur si pasojë e hedhjes së molotovit dhe shisheve me benzinë drejt Kryeministrisë dhe Kuvendit, si dhe pas informacioneve të siguruara se dhe në protestën e sotme mund të ketë veprime të dhunshme.

Megjithatë, policia ka ndërmarrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke kufizuar disa akse rrugore. Konkretisht nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Po ashtu, policia sqaron se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.