Një operacion i mirëorganizuar i zhvilluar në orët e vona të natës së kaluar ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Korrespondentja e Top Channel Bruna Kërçyku raporton se aksioni është realizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Si rezultat i ndërhyrjes, tre persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa në automjetin me të cilin ata lëviznin janë sekuestruar të paktën 45 kilogramë kanabis sativa, një armë luftarake, municion, një sasi e konsiderueshme parash, si dhe disa telefona celularë me karta SIM shqiptare dhe të huaja.
Sipas burimeve policore, operacioni është shoqëruar me ndjekjen e automjetit që dyshohej se transportonte lëndën narkotike. Në hyrje të qytetit të Elbasanit, drejtuesi i mjetit ka kuptuar se po ndiqej nga forcat e rendit dhe ka tentuar të largohej me shpejtësi, duke u futur në një rrugë të pandriçuar në një lagje periferike.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka bërë të mundur neutralizimin e automjetit, duke vënë në pranga tre personat që ndodheshin brenda tij.
Gjatë operacionit, një punonjës policie ka mbetur i plagosur aksidentalisht si pasojë e thyerjes së një xhami, por pa rrezik për jetën.
Hetimet vijojnë intensivisht, pasi dyshohet se grupi kriminal e ka shtrirë aktivitetin e tij prej kohësh në të paktën tre qarqe të vendit. Strukturat hetimore po punojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës.
Ky operacion konsiderohet një tjetër goditje e fortë ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vend.




















