Departamenti Amerikan i Drejtësisë u zotua se do të rishqyrtojë dosjen e Jeffrey Epstein, pas raportimeve në media se mund të ketë pasur fshehje dokumentesh.

Radio publike amerikane NPR raportoi të martën, 24 shkurt, se Departamenti i Drejtësisë, në krye të të cilit ndodhet një zyrtare besnike e presidentit republikan Donald Trump, ka penguar publikimin e dokumenteve që lidhen me akuza sipas të cilave Trump kishte kryer sulm seksual ndaj një të miture.

Sipas NPR, dokumente që lidhen me akuzat kundër Epstein, ku përmendej edhe emri i Donald Trump, janë hequr nga baza publike e të dhënave për kriminelin seksual, i cili vdiq në vitin 2019 në burg, përpara se të përballej me gjyqin.

Në një deklaratë zyrtare, Departamenti i Drejtësisë tha se, sipas raportimeve mediatike, disa dosje që lidhen me bashkëpunëtoren e Epstein, Ghislaine Maxwell, duket se mungojnë nga databaza publike.

“Ashtu si me të gjitha dokumentet që janë evidentuar (…), Departamenti po i rishqyrton aktualisht dosjet që bëjnë pjesë në këtë kategori”, thuhej në një postim në platformën X.

“Nëse ndonjë dokument rezulton se është klasifikuar gabimisht gjatë procesit të shqyrtimit dhe përmbush kriteret ligjore, Departamenti sigurisht që do ta bëjë publik”, theksoi më tej, duke iu referuar ligjit të miratuar vitin e kaluar që detyron qeverinë të publikojë të gjitha dosjet që ka mbi Epstein.

Më herët, Departamenti kishte deklaruar po në X se “ASGJË nuk është hequr”, duke sqaruar se nuk janë publikuar vetëm dokumente të dyfishta, ato për të cilat ekziston një vendim gjykate për mosbërje publike, apo materiale që janë pjesë e një hetimi federal në zhvillim.

Pas raportimit të NPR, edhe The New York Times shkroi se mes dokumenteve të papublikuara përfshihen shënime të FBI që përmbledhin marrje në pyetje të kryera në vitin 2019.

Gruaja që kishte bërë denoncimin ishte paraqitur pas arrestimit të financierit nga Nju Jorku dhe kishte pretenduar se, disa dekada më parë, kur ishte ende e mitur, ishte sulmuar seksualisht nga Jeffrey Epstein dhe nga Donald Trump.

Sipas gazetës, nga katër marrje në pyetje të kryera, është bërë publike vetëm një përmbledhje, e cila lidhet me akuzat kundër Epstein.

Ligjvënës demokratë në Komisionin e Mbikëqyrjes të Dhomës së Përfaqësuesve deklaruan se javët e fundit kanë zhvilluar hetime mbi punën e FBI-së lidhur me akuzat e vitit 2019. Ata pretendojnë se “mund të konfirmojnë se Departamenti i Drejtësisë duket se ka fshehur në mënyrë të paligjshme marrjet në pyetje të FBI-së” me viktimën e pretenduar.

“Fshehja e provave të drejtpërdrejta për një sulm të mundshëm nga presidenti i Shteteve të Bashkuara është shkelja më e rëndë që mund të kryhet në këtë operacion mbulimi të Shtëpisë së Bardhë”, deklaruan ata në X.

“Është operacioni më i madh i fshehjes nga qeveria në historinë moderne (…) Kërkojmë përgjigje”, shtuan.

Në përgjigje, Departamenti i Drejtësisë i akuzoi demokratët se po “mashtrojnë opinionin publik duke fabrikuar indinjatë në emër të bazës së tyre radikale kundër Trump”.

Më 30 janar, Departamenti publikoi më shumë se tre milionë faqe, pjesërisht të redaktuara, nga dosja Epstein, duke argumentuar se administrata Trump kishte përmbushur kështu detyrimin ligjor për të hedhur dritë mbi këtë çështje politikisht të ndjeshme.

Megjithatë, viktima të Jeffrey Epstein kanë shprehur zemërimin e tyre për faktin se shumë dokumente janë redaktuar rëndë dhe se nuk është ndërmarrë asnjë ndjekje e mëtejshme penale ndaj bashkëpunëtorëve të dyshuar të financierit.

Donald Trump, i cili dikur kishte marrëdhënie shoqërore me Epstein dhe lëvizte në të njëjtat qarqe me të, ka mohuar se kishte dijeni për veprimtarinë e tij kriminale dhe ka deklaruar se i kishte ndërprerë marrëdhëniet me të përpara nisjes së procedurave gjyqësore ndaj tij.