Deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre Jorida Tabaku, Gazment Bardhi, Albana Vokshi, Ivi Kaso, madje edhe vetë Klevis Balliu me të tjerë, janë duke zhvilluar takime në Kongresin Amerikan në SHBA në përbërje të një delegacioni të Kuvendit të Shqipërisë.

Në gjithë këto kohë në retorikën e Partisë Demokratike, të Sali Berishës apo të njerëzve të tij të afërt, ka qenë se ‘non grata’ ka rënë, se Berisha mund të udhëtojë pa problem drejt SHBA-ve dhe, tanimë, ai nuk ka asnjë pengesë.

Madje, siç ka raportuar gazeta TemA më parë, vetëm në muajt e fundit janë paguar mbi 750 mijë dollarë lobime për t’i mundësuar Berishës të udhëtojë drejt SHBA-së.

Kujtojmë këtu se përpara zgjedhjeve të 11 Majit kjo lloj retorike arriti kulmin, ku nuk ngeli njëri në PD pa u ngazëllyer për këtë gjë: pra, që Doktori mund të fluturonte mbi Oqean dhe mund të shkelte në ‘tokën e premtuar’ pa problem fare, madje disa prej zyrtarëve të PD-së pa pikë skuqjeje në fytyrë flisnin edhe për takime ‘shumë shpejt’.

Pavarësisht të gjithave, pyetja që shtrohet është: përse Berisha nuk udhëtoi me deputetët e tjerë të PD-së drejt SHBA-ve?

Përse, fjala vjen, nuk iu ‘ngjit’ edhe atyre siç bëri në Asamblenë e Këshillit të Evropës, ku u shfaq në vend të Albaa Vokshit, pavarësisht se edhe për atje nuk kishte një ftesë?

Nëse PD arrin t’i japë një përgjigje kësaj pyetje, do të jetë në të mirë të saj. / TemA