Në politikë, rrallëherë gjithçka ndodh para kamerave. Shumë skenarë nisin larg syrit publik, në ambiente ku fjalët maten dhe heshtja vlen më shumë se deklaratat. Sipas rrëfimeve që sot po qarkullojnë gjithnjë e më hapur në rrethet politike, një skenar i tillë thuhet se nisi në një darkë.
Thuhet se ishte një takim i organizuar nga Isa Mustafa, ish-kryetar i LDK-së, ku u mblodh një rreth i njohur figurash të vjetra të partisë. Një gardë politike që për vite me radhë kishte qenë e lidhur me pushtetin, me logjikën e pazareve dhe me një model partie që reformat e fundit e kishin vënë në pikëpyetje.
Në atë tryezë, sipas këtij narracioni politik, u panë emra që prej kohësh konsiderohen kritikë të kursit reformues të LDK-së: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Agim Veliu dhe Besnik Berisha. Një takim jo formal, por me një agjendë politike të pashkruar. Takimi, edhe pse i padeklaruar publikisht, thuhet se kishte një qëllim të qartë: koordinimin e një veprimi të brendshëm që nuk do të shpallej, por që do të ndihej drejtpërdrejt në rezultat.
Në javët që pasuan, rrëfimet flasin edhe për një dimension tjetër të skenarit: menaxhimin e perceptimit publik. Thuhet se për disa media dhe zëra kritikë ishte përkujdesur Valon Ademi, biznesmen i përfolur dhe i lidhur me projektin e Aeroportit të Vlorës. Sipas këtyre pretendimeve, ai kishte ndërtuar një rrjet analistësh dhe komentatorësh kritikë, disa prej të cilëve përfliten se ishin stimuluar financiarisht për të ushqyer një narrativë të vazhdueshme kundër Lumir Abdixhikut. Janë pretendime që sot qarkullojnë si pjesë e këtij rrëfimi politik dhe që shpjegojnë sinkronizimin e pazakontë të disa sulmeve mediatike.
Ndërkohë, brenda partisë, sipas të njëjtit narracion, po përgatitej “befasia”. Thuhet se Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti kishin rol kyç në organizimin e një skenari të fshehtë në Kuvendin partiak, një lëvizje që synonte të ndryshonte rezultatin në momentin e fundit përmes një manovre të brendshme, larg vullnetit real të anëtarësisë.
Në këtë kontekst, Isa Mustafa përmendet si arkitekti politik i gjithë skemës. Një mjeshtër i manovrave kuvendare, i cili sipas kritikëve të tij kishte ekzekutuar një skenar të ngjashëm edhe në vitin 2010, kur rezultati i Kuvendit kishte ndryshuar me befasi në dëm të Fatmir Sejdiut. Historia, sipas këtij rrëfimi, po provohej të përsëritej.
Por të nesërmen, gjithçka dështoi.
Vota nuk shkoi sipas planit. Befasia nuk ndodhi. Anëtarësia u soll ndryshe nga sa ishte llogaritur. Degët e partisë, strukturat lokale dhe figurat me integritet nuk u bënë pjesë e lojës. Ato qëndruan fuqishëm në anën e vullnetit real dhe jo të prapaskenës.
Fytyrat e atyre që, sipas këtij narracioni, kishin investuar në tradhti politike u zbehën. Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti, të cilët përfliten se kishin nisur ekzekutimin e skenarit të fshehtë, ishin ndër më të shtangurit.
Heshtja e plotë e tyre, përballë shpërthimit të gëzimit organik në sallë, zëvendësoi sigurinë e natës paraprake. Ajo që ishte menduar si grusht i brendshëm përfundoi si një dështim i plotë.
Kuvendi nuk u përmbys. Partia nuk u mor peng. Dhe për herë të parë pas shumë kohësh, LDK-ja tregoi se, përkundër planeve të errëta dhe skenarëve të fshehtë, anëtarësia e saj ende di të qëndrojë drejt.
Në fund, kjo histori, qoftë e vërtetë apo e perceptuar, mbetet një paralajmërim politik: se në LDK, pavarësisht gjithçkaje, vullneti i shumicës mund të jetë më i fortë se prapaskena e pakicës.
Dhe se ndonjëherë, edhe skenarët më të përgatitur, bien përballë dinjitetit të njerëzve të thjeshtë të partisë.




















