Profesionalizëm, përkushtim dhe besueshmëri nga strukturat e Policia e Shtetit janë vlerësuar me dy letra mirënjohjeje nga Policia e Kentit, në kuadër të bashkëpunimit hetimor dhe operacional mes dy institucioneve.
Autoritetet britanike kanë falënderuar palën shqiptare për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar në dy raste të fundit konkrete bashkëpunimi.
Rasti i parë lidhet me arrestimin e shpejtë në Tiranë të shtetasit A. Sh., i akuzuar për vrasje, në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 81”.
Sipas Policisë së Kentit, ndalimi i të dyshuarit nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të strukturave shqiptare, në veçanti të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh.
Në letrën e mirënjohjes, autoritetet britanike shprehen se janë thellësisht mirënjohës për mbështetjen e dhënë në lokalizimin dhe arrestimin e shpejtë të të dyshuarit.
Rasti i dytë ka të bëjë me finalizimin me sukses të operacionit policor “Boomerang”, ku një rol kyç ka pasur ekspertiza e lartë e Instituti i Policisë Shkencore në fushën e analizimit të ADN-së.
Gjatë këtij operacioni u bë i mundur identifikimi i shtetasit G. U., 29 vjeç, banues në Kurbin, i dyshuar për përfshirje në 33 raste vjedhjesh në zona të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar, përgjatë viteve 2023–2025.
Identifikimi u realizua falë analizës së të dhënave në databazën “CODIS” të Institutit të Policisë Shkencore, e cila mundësoi përputhjen familjare (Familiar Match) të ADN-së së të dyshuarit me origjinë shqiptare.
Sipas autoriteteve, analiza e të dhënave të siguruara përmes ADN-së ka qenë vendimtare për dokumentimin ligjor të veprimtarisë së këtij shtetasi në Mbretërinë e Bashkuar.
Në letrat e mirënjohjes, përfaqësuesit e Policisë së Kentit shprehen:
“Dëshirojmë t’ju shprehim mirënjohjen dhe falënderimet tona më të sinqerta.
Është kënaqësi e madhe të dimë se bashkëpunojmë në mënyrë kaq efektive me kolegët e Policisë Shqiptare për të ndihmuar në parandalimin dhe zbulimin e krimeve që shkaktojnë dëm të madh në komunitetet tona.
Këto raste përforcuan bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që kemi dhe nxorën në pah sa e domosdoshme është ndihma e ndërsjellë për parandalimin dhe zbulimin e krimeve që dëmtojnë komunitetet tona.”
Gjithashtu, autoritetet britanike kanë vlerësuar rolin dhe profesionalizmin e Oficerit Ndërlidhës të Policisë shqiptare për koordinimin dhe finalizimin me sukses të veprimeve të përbashkëta hetimore dhe operacionale.




















