Marrë Nga TemA
Protestat e fundit të thirrura nga Sali Berisha më 24 janar dhe 10 shkurt më shumë se sa për mesazhin e tyre brenda vendit, duket se janë thirrur për të dërguar një mesazh jashtë Shqipërie, i cili, deri më tani, ka rënë në vesh të shurdhët.
Po të shihen me kujdes, të dy protestat e fundit, kanë qenë thuajse të njëjta, ku më shumë se sa mesazhi rëndësi ka pasur imazhi, skena, korniza fotografike dhe pamjet vizive që synojnë të prodhojnë një efekt në mediat ndërkombëtare.
Skenografia është kjo: Berisha mbaron fjalën, merr flamurin në dorë, kamerat dhe fotografët spostohen pas tij dhe në sfond (ndërsa ai e valvit flamurin) shpërthejnë molotovët dhe fishekzjarret në drejtim të Kryeministrisë.
Është një imazh perfekt, në fakt, një ide e mirëmeduar dhe një tablo e gatshme për agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.
Dhe deri këtu, ia kanë arritur: nga Reuters te Associated Press, nga mediat gjermane deri te Al Jazeera kanë transmetuar protestën e opozitës në Shqipëri.
Por ndërsa kjo është një skenografi e mirëmenduar dhe e krijuar jo në mënyrë spontane dhe natyrale, lexuesi dhe shikuesi evropian nga e gjithë kjo lexon dhe sheh diçka tjetër.
Ndryshe nga narrativa që përpiqet të ndërtojë zyra e propagandës së PD-së, evropiani di që protestat masive në Evropë, SHBA, por edhe më tej, shoqërohen me viktima, me dhunë të përshkallëzuar, me ndërhyrje brutale të forcave të rendit dhe, teksa sheh që në Shqipëri ka molotovë simbolikë, fishekzjarre, retorikë të ashpër, por nuk ka viktima, nuk ka shtypje brutale të protestës dhe as ndalim të së drejtës për tubim, ai e kupton se në këtë vend demokracia është funksionale.
Pra, opozita është në të drejtën e saj për të protestuar, ndërsa qeveria dhe institucionet në të drejtën e tyre për të zbatuar ligjin.
Fakti që opozita proteston përballë Kryeministrisë, që lideri i saj mban fjalime të gjata, që tubimet zhvillohen pa u ndaluar dhe pa u shpërndarë me forcë, i tregon një publiku evropian se e drejta e protestës respektohet, ndëkrohë që pushteti e lejon këtë të drejtë brenda kufijve të ligjit dhe institucioneve qëndrojnë në këmbë.
Revolta dhe revolucioni nuk bëhen me grafikë, me koreografi dhe me korniza televizive, sepse ato lindin nga situata reale të krizës, nga kolaps institucional ose represion i hapur, gjë që në Shqipëri, përkundër përpjekjes për ta paraqitur si dramë, skena mbetet thjesht simbolike.




















