Agjencia për Media dhe Informim ka sqaruar median dhe opinionin publik lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 3 shkurt 2026 për heqjen e masave të përkohshme që ndalonin aksesin në platformën online TikTok.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi vjen pas një rivlerësimi institucional dhe adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, me fokus të veçantë te mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve.

Masat kufizuese, të miratuara në mars të vitit 2025, u konceptuan si një ndërhyrje parandaluese në funksion të interesit publik. Ato shërbyen gjithashtu për hapjen e një dialogu të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e platformës TikTok, duke vendosur bazat për mekanizma të rinj sigurie që më parë nuk ekzistonin.

Aktualisht, autoritetet shqiptare janë në partneritet me platformën për zbatimin e filtrave mbrojtës përmes fjalëve kyçe, forcimin e kontrolleve të përmbajtjes, si dhe përmirësimin e mekanizmave të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve.

Vendimi shënon kalimin nga masa kufizuese në një fazë të re monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.

Paralelisht, institucionet po punojnë për hartimin e një plani komunikimi dhe ndërgjegjësimi të fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, me qëllim promovimin e përdorimit të sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online.

Qeveria thekson se kjo qasje e balancuar synon garantimin e lirisë së aksesit, duke vendosur në qendër sigurinë dhe mirëqenien e të rinjve në hapësirën digjitale.