Kryeministri Edi Rama ka reaguar në podkastin “Flasim” lidhur me debatet e krijuara pas zhvendosjes së zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. Ai sqaroi se është ngatërruar qëllimisht ose nga keqinformimi vendndodhja fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët, duke theksuar se modeli i ri i Kadastrës synon ofrimin e shërbimeve plotësisht online përmes platformës e-Albania.

“Dy fjalë për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. U ngatërrua, qëllimisht ose idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët. Agjencia e Kadastrës ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv, me sportele, radhë dhe zvarritje, në një model online, ende i pa mbyllur plotësisht në ciklin e vet, por gjithsesi përmes platformës e-Albania ky model mundëson që shumica e procedurave të mos kenë nevojë për paraqitje fizike në një sportel. Të gjitha ndiqen online. Tani, gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje për atë lëvizje lidhet jo vetëm me një perceptim të gabuar apo me një informim të mangët, por edhe me një mendësi e cila duhet përmbysur. Duhet përmbysur duke pasur parasysh se e nesërmja e afërt e Kadastrës është një shërbim pa sportele dhe pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim si një e drejtë themelore, një e drejtë që merret përmes celularit ose kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendndodhjen e zyrës. Ky nuk është i pari veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ajo që po punojmë çdo ditë është të sigurojmë mbylljen e ciklit: pra, jo më aplikim online dhe më pas marrje e shërbimit me postë, por i gjithë cikli online.”-tha Rama.