Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i aksit të ri të Korridorit VIII (Elbasan – Qafë Thanë), duke theksuar ecurinë e punimeve dhe standardet europiane të zbatimit të projektit.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se në terren po zhvillohet “një punë kolosale e shembullore e standardeve europiane”, ndërsa iu referua debatit publik mbi një rrëshqitje toke në segmentin e vjetër të rrugës, duke sqaruar se ajo “nuk ka asnjë lidhje me investimin e ri madhor”.

Sipas tij, rrëshqitja e dheut që bllokoi përkohësisht disa qindra metra të rrugës ekzistuese është një fenomen i shkëputur nga projekti i ri, i cili po ndërtohet sipas parametrave bashkëkohorë të infrastrukturës rrugore.

“Ndërkohë që 700 tenxheret politike mediatike e mbytën miletin me bombat artizanale mbi segmentin prej disa qindra metrash të rrugës së vjetër, të cilën e bllokoi rrëshqitja e tokës, pa asnjë lidhje, hiç, zero, me investimin e ri madhor”, shkroi Rama

Projekti i aksit Elbasan – Qafë Thanë është pjesë e investimeve strategjike në kuadër të Korridorit VIII, që synon përmirësimin e lidhjes lindje-perëndim dhe rritjen e sigurisë e kapaciteteve të transportit.

Në kuadër të këtij projekti, një komponent i rëndësishëm është edhe mbrojtja lumore përgjatë segmentit Elbasan – Qafë Thanë dhe Elbasan – Lekaj, e cila po zbatohet në disa lote dhe faza, me këto gjatësi:

Elbasan – Papër, Loti 1

Faza 1 – 1850 ml

Faza 2 – 420 ml

Faza 3 – 2000 ml

Elbasan – Papër, Loti 2

Faza 1 – 500 ml

Papër – Ura e Grykshit, Loti 2

Faza 2 – 600 ml

Faza 3 – 1020 ml

Elbasan – Qafë Thanë

Faza 1 – 2200 ml

Faza 2 – 2136 ml

Faza 3 – 1440 ml

Faza 4 – 1375 ml

Faza 7 – 1660 ml

Faza 8 – 1780 ml

Aksi i ri pritet të rrisë standardet e sigurisë rrugore, të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe të përmirësojë ndërlidhjen me rajonin, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.