Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, prezantoi prioritetet e vitit 2026, duke theksuar ndërtimin e një ekosistemi të integruar mes turizmit, kulturës, sportit dhe rinisë si shtylla të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të rritjes ekonomike të vendit, në përputhje me programin qeverisës “Shqipëria 2030”. Sipas tij, rritja e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë si një destinacion i vizitueshëm gjatë gjithë vitit mbetet në themel të politikave dhe investimeve të ministrisë.
Në sektorin e turizmit, i cili regjistroi 12.47 milionë vizitorë të huaj në vitin 2025, me një rritje prej 6.6% krahasuar me një vit më parë, fokusi do të jetë te digjitalizimi i shërbimeve, formalizimi i tregut të akomodimit afatshkurtër, zgjerimi i hapësirave publike në plazhe dhe përmirësimi i menaxhimit të tyre. Qeveria synon gjithashtu zgjerimin e pranisë në panaire dhe ndikimin në tregjet ndërkombëtare, përfshirë Amerikën e Veriut, Azinë dhe Lindjen e Mesme, si dhe zhvillimin e turizmit gjithëvjetor përmes segmenteve si turizmi malor, kulturor, sportiv, shëndetësor dhe i konferencave. Një tjetër projekt kyç është ngritja e Akademisë Ndërkombëtare të Turizmit dhe Mikpritjes në bashkëpunim me UN Tourism, me qëllim rritjen e standardeve të shërbimit dhe certifikimin sipas praktikave ndërkombëtare.
Në kulturë dhe trashëgimi, ku numri i vizitorëve në site dhe muze ka arritur në rreth 1.5 milionë, ministria parashikon hapjen e disa atraksioneve të reja, mes tyre Galeria Kombëtare e Arteve dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, ndërsa projekte madhore si Teatri Kombëtar dhe Muzeu Historik Kombëtar vijojnë procesin e ndërtimit apo restaurimit. Investimet përfshijnë gjithashtu qendra vizitorësh, muze të rinj dhe ndërhyrje restauruese në objekte të trashëgimisë kulturore në disa qarqe, me synim përmirësimin e eksperiencës së vizitorëve dhe rijetëzimin e aseteve historike. Paralelisht, pritet ristrukturimi i institucioneve kulturore dhe miratimi i Strategjisë së Kulturës 2026-2030, si dhe reforma ligjore që lidhen me statusin e artistit, sponsorizimet, të drejtën e autorit dhe industrinë audiovizuale.
Programet për rininë do të zgjerojnë mbështetjen financiare për organizatat dhe projektet rinore, me synimin për të përfshirë rreth 25 mijë të rinj në 40 bashki. Ndërsa, nisma të financuara nga Bashkimi Evropian, si EU4Youth dhe Garancia Rinore, do të fokusohen te punësimi, përfshirja sociale dhe zhvillimi i aftësive. Ministria do të investojë gjithashtu në rikualifikimin e qendrave rinore dhe në programet e praktikave të punës për të lehtësuar integrimin e të rinjve në tregun e punës.
Në sport, fondet për vitin 2026 arrijnë në 834.6 milionë lekë, rreth 32% më shumë se një vit më parë, duke përfshirë mbështetje për federatat sportive dhe organizimin e eventeve ndërkombëtare. Shqipëria do të presë aktivitete sportive të rëndësishme, ndër to Kampionati Evropian UEFA U-21 në vitin 2027. Ndërkohë, ka nisur procesi për ndërtimin e katër stadiumeve të reja në Tiranë, Durrës, Korçë dhe Vlorë, si dhe vijon projekti për Pallatin e ri të Sportit “Asllan Rusi”.
Ministri theksoi se bashkimi institucional i turizmit, kulturës dhe sportit synon rritjen e eficiencës së investimeve, mbrojtjen e pasurive publike dhe maksimizimin e vlerës së aseteve kombëtare në funksion të komuniteteve dhe ekonomisë, ndërsa reformat administrative dhe ligjore do të mbështesin një zhvillim afatgjatë dhe konkurrues të sektorëve.




















