Nga Hermes Kafexhiu/ 

Në fakt e gjitha çka ndodhur nga 2016 dhe këtej ngjan si një revolucion në drejtësi. Edhe kur e dëgjon sot Kryeministri Edi Rama në daljen e tij në grupin parlamentar për ndryshimet në Kodin Penal në nenin 242 që erdhi si pasojë e masës për pezullimin e ministres Belinda Balluku, dy shprehje të vijnë në mendje: “revolucioni i ha bijtë e vet” dhe ajo e Zhizhekut: “Se halli nuk është se kush bën revolucionin, por çfarë ndodh pas revolucionit”.

Në këtë kontekst kur kujton gjithë ish-zyrtarët publik si majtas, si djathtas apo dhe ata në mes, tregon vërtet se revolucioni ka nisur t’i hajë bijtë e vet, pikërisht ata që ngritën kartonat apo dhe ata që ishin pas kartonave, Ilir Meta, Sali Berisha, Erion Veliaj, Belinda Balluku, Ilir Beqaj, Arben Ahmetaj e shumë e shumë të tjerë.

Mirëpo ky revolucion me dhimbje pati probleme të thella, nga vetingu që u ndërmor për gjyqtarët e korruptuar që vijojnë të paguhen akoma, e deri tek SPAK që sot vendos në dyshim nëse është ai që po ndërmerr drejtimin apo vë në rrezik vetë balancat e republikës. Apo plaga e madhe e paraburgimit që e ka ngritur Shqipërinë në nivelet më të larta. Sot ky fragment është një rrëfim që tregon më shumë një revolucion statistikash sesa një revolucion për drejtësinë cilësore të munguar të shqiptarëve.

Pikërisht këtu nis drama e vërtetë e shqiptarëve.

Shqiptarët nuk kërkuan një revolucion për të parë ministra me pranga në televizor dhe dosje voluminoze në konferenca për shtyp. Ata kërkuan drejtësi për jetën e tyre të përditshme. Për pronën që u zvarritet në gjykata prej 20 vitesh. Për biznesin që mbyllet me një kallëzim anonim. Për djalin që mbahet në paraburgim si statistikë suksesi. Për administratën që jeton çdo ditë me frikën se një firmë mund t’i kthehet në pranga.

Kur Rama thotë se ka tre pushtete të pavarura dhe se legjislativi e ekzekutivi janë sovranë në vendimmarrje, ai ngre një pyetje që në fakt ka kohë që zien nën sipërfaqe, a po rrëshqasim nga balanca e pushteteve në një frikë kolektive ndaj një pushteti të vetëm? A është drejtësia sot vigjilente mbi ligjin, apo mbi vendimmarrjen politike? A po kontrollon qëllimet e shpallura, apo po ndërhyn në territorin e vendimmarrjes?

Kur ai thotë se punonjësit e administratës nuk janë “mish për top” dhe se fletët e arrestit shpërndahen si ftesa për dasmë, ai në fakt artikulon frikën e një sistemi që ka kaluar nga pandëshkueshmëria në hiper-ndëshkim. Nga heshtja totale në zhurmë totale. Nga imuniteti politik në pasiguri administrative.

Problemi është më i thellë se kaq.

Revolucioni i drejtësisë u shit si çlirim. Sot, për shumë shqiptarë, ai perceptohet si pasiguri. U premtua pavarësi; sot flitet për balanca të cenuara. U kërkua fundi i pandëshkueshmërisë; sot kemi një debat për kufijtë e ndërhyrjes.

Në mes të gjithë kësaj, shqiptari i zakonshëm rri e sheh. Ai sheh një elitë politike që dikur ishte e paprekshme dhe sot përballet me hetime. Sheh prokurorë që dikur heshtnin dhe sot flasin me masa sigurie. Sheh një kryeministër që mbron reformën si akt historik, 100 herë po të kthehej pas do ta bënte sërish.

Revolucioni i vërtetë nuk matet me numrin e zyrtarëve të arrestuar. Matet me ndjesinë e sigurisë juridike. Me kohëzgjatjen e proceseve. Me barazinë para ligjit. Me kufirin e qartë mes vendimmarrjes politike dhe kontrollit penal.

Nëse revolucioni fillon të hajë bijtë e vet, historia na mëson se faza tjetër është frika. Frika nuk prodhon shtet të së drejtës, prodhon paralizë. Një administratë që nuk firmos. Një politikë që mbron veten. Një drejtësi që rrezikon të perceptohet si palë.

Shqipëria kishte nevojë për një revolucion drejtësie. Sot pyetja nuk është më nëse revolucioni ishte i domosdoshëm. Pyetja është: a po dimë ta menaxhojmë pasojën e tij?

Siç thotë Zhizheku, problemi nuk është kush e bën revolucionin. Problemi është çfarë ndodh pas tij.

Pas revolucionit, shqiptarët nuk duan më spektakël. Duan drejtësi që funksionon. Duan balancë reale pushtetesh. Duan liri si parim dhe ndëshkim si përjashtim. Duan shtet, jo ethe revolucionare të përhershme.

Në të kundërt, revolucioni do vazhdojë të hajë bijtë e vet dhe bashkë me ta, besimin e një shoqërie të tërë.