Aksi Librazhd-Qafë Thanë, i bllokuar totalisht që prej orës 11:00 në zonën e njohur si Kthesa e Dragostunjës për shkak të rënies së një masivi gurësh e dheu është zhbllokuar pas 7 orësh. Në orën 18:00 të mbrëmjes, njëra prej korsive është hapur duke i dhënë ‘frymëmarrje’ makinave të ngecura në një radhë prej 10 kilometrash në të dyja anët.

Është hapur edhe korsia e dytë, por mjetet lëvizin me kujdes për shkak të një shkëmbi që ka zënë pothuajse gjysmën e rrugës.

Bllokimi i rrugës preku edhe një auto-ambulancë e cila po transportonte një grua të sëmurë, që po dërgohej drejt Spitalit të Elbasanit. Situata detyroi transportimin e saj me barelë për të kaluar përmes lumit nga ana tjetër e rrugës, për shkak të bllokimit të plotë nga masivët shkëmborë.

Për zhbllokimin e rrugës kanë ndërhyrë ekipet e mirëmbajtjes së firmës kontraktuese 2T. Megjithatë në një intervistë për Report TV, Prefekti i Qarkut Elbasan Ilir Bejtja, tha se problematika ishte rrëshqitja e dherave që vijonte nga sipër kodrës duke e bërë të vështirë pastrimin e rrugës, ndaj punimet ndaluan në atë zonë.

“Në vend janë duke punuar mjetet dhe punonjësit e firmës ANK që punon për korridorin e 8 dhe firmës kontraktuese 2T që mirëmban aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë. Po punojnë 4 ekskavatorë dhe një fadromë. Po punohet për të hapur qarkullimin e mjeteve në njërën anë të aksit rrugor”, tha ai.

Ndërkohë ka nisur heqja e gurëve dhe dheut nga rruga. ARRSH shpreson që zhbllokimi i njërit krah të mundësohet brenda 30 minutave. Momentalisht po punohet në hapjen e kahut që vjen nga Korça, ku ka më shumë trafik. Është kryer shembja e kontrolluar e një masivi gurësh që kishte rrezik.

Deri në pastrimin e plotë të rrugës, lëvizja drejt Korçës dhe në drejtim të kundërt mbetet e pamundur dhe policia këshillon drejtuesit e mjeteve të shmangin këtë segment.

“Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë që duan të udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe anasjelltas të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Njëkohësisht, Policia Rrugore e Korçës udhëzoi qytetarët që i ishin drejtuar Elbasanit të shkojnë drejt zonës së Maliqit, Moglicë-Gramsh dhe për të dalë më pas në Cërrik.