Gjykata Kushtetuese këtë të premte ka marrë vendimin dhe ka rrëzuar kërkesën e qeverisë e cila kundërshtoi vendimin e GJKKO dhe SPAK për pezullimin e zv/kryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Trupa e përbërë prej 8 anëtarësh e Gjykatës Kushtetueses ka votuar 4 me 4 duke lënë në fuqi pezullimin e Ballukut nga detyra. Në vendimin e zbardhur Gjykata thekson se sipas Kushtetutës sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës, sipas të cilit edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më datën 06.02.2026, mori në shqyrtim çështjen me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë me objekt: zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nga ana tjetër; shfuqizimin e vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës.
Paraprakisht, Gjykata vlerësoi njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pikat 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.
Gjykata thekson se sipas Kushtetutës sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës, sipas të cilit edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë. Ndër parimet e tjera themelore janë edhe ato të epërsisë së Kushtetutës si ligji më i lartë dhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i shtetit për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës, si dhe ndarja dhe balancimi ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2 të Kushtetutës dhe nenit 72, pika 2 të Ligjit Organik të saj.
Sipas njërit qëndrim, Gjykata në jurisprudencën e saj në lidhje me nenin 73, pika 3 të Kushtetutës është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal i tyre, por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij. Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese).
Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitet deputeti, synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri. Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik, vlerësohet se për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionimin kushtetues politik të ministrit. Prandaj, në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushtetit ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve sipas nenit 7 të Kushtetutës, edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.
Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imuniteteve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2 të saj.
Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndonëse zbatimi i kësaj mase pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe për pasojë ndërhyn edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Në këndvështrim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues.
Për sa më lart, Gjykata Kushtetuese vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës.
2. Heqjen e masës së pezullimit të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 12.12.2025.
3.Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.




















