Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i mazhorancës për Reformën Administrativo-Territoriale, ka qenë i ftuar në Top Story përballë gazetarëve, për të shojeguar se çfarë do të ndodhë realisht me këtë proces dhe cili është qëllimi që tenton të arrijë reforma e re. Ai theksoi se rëndësi ka procesi, pasi proceset e mira, prodhojnë produkte të mira.
Gjatë diskutimeve në panelin me gazetarët përballë, Mazniku vuri theksin se reforma territoriale nuk duhet parë si një proces që ka në qendër hartën apo numrin e bashkive, por si një reformë që synon mbi të gjitha përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Sipas argumentit të ngritur, pyetja kryesore nuk është “sa bashki do të ketë Shqipëria”, por “si mund të ofrohen shërbime më të mira, më të aksesueshme dhe më efikase”.
Vetëm duke nisur nga kjo logjikë, edhe organizimi territorial apo numri i njësive administrative do të dalë si rezultat i natyrshëm i procesit, dhe jo si qëllim në vetvete.
“Unë besoj që numri i bashkive nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, mundësia për të ofruar shërbim është i rëndësishëm. Që t’i të shkosh të marrësh një shërbim në një bashki të caktuar duhet që ai shërbim të ketë një seri planifikimesh më pas, gjë që disa bashki të vogla nuk ia dalin dot ta bëjnë”, tha ai.
Një tjetër element i rëndësishëm që u nënvizua ishte roli i bashkive në procesin e integrimit europian.
Mazniku tha se bashkitë janë institucione kyçe në zbatimin e standardeve të BE-së, pasi shumë nga politikat europiane prekin drejtpërdrejt nivelin lokal: nga infrastruktura dhe shërbimet publike, te planifikimi urban, mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi ekonomik. Në këtë kuptim, forcimi i qeverisjes vendore është një kusht i domosdoshëm për avancimin e rrugës europiane të vendit.
Gjithashtu u evidentua se reforma e ardhshme duhet të mbështetet mbi arritjet e reformës së vitit 2014, e cila solli rritje të kapaciteteve dhe eficiencës së bashkive.
Sipas Maznikut faza e re e reformës nuk mund të kufizohet vetëm në dimensionin administrativ, por duhet të synojë njëkohësisht rritjen e efektivitetit të shërbimeve dhe përmirësimin e demokracisë lokale, përfaqësimit dhe lidhjes së qytetarëve me vendimmarrjen në nivel vendor.
Për mazhorancën reforma territoriale duhet të jetë një proces i orientuar drejt shërbimeve, integrimit europian dhe forcimit të demokracisë lokale, dhe jo një debat i reduktuar thjesht në vizatimin e një harte të re, siç pretendon opozita, e cila duket se diskurin kryesor të saj e ka të foksusuar tek numrat.




















