Kur sateliti rus – që mund të lëshojë satelitë të tjerë në orbitë – manovroi në afërsi të një sateliti amerikan qershorin e vitit të kaluar, ishte lëvizja e fundit e një loje të rrezikshme sikur “e maces me miun” në hapësirë.

Cosmos 2558 është parë duke e ndjekur satelit USA 326 që kur sateliti rus u lansua në hapësirë më 2022. Por, tani ai doli me një befasi, duke lëshuar një modul më të vogël që nisi të lëvizte edhe më afër satelitit amerikan.

“Kjo është hera e dytë që kemi parë një veprim të tillë nga pala ruse”, tha DeAnna Burt, e cila në kohën e incidentit ishte drejtoreshë për operacione në Forcën Hapësinore të Shteteve të Bashkuara, përcjell A2.

“Keni një satelit që ka brenda tij një satelit tjetër, për të cilin ne besojmë se është një mjet KK apo Kinetic Kill, i cili do të mund të lëvizë dhe të takohet me një satelit tjetër dhe potencialisht mund ta dëmtojë atë ose ta fotografojë apo të kryejë veprime të ndryshme”, shtoi ajo.

Burt doli në pension në tetor të vitit 2025 dhe foli për Radion Evropa e Lirë gjatë një vizite në Pragë, të organizuar nga Instituti Aspen. Në një intervistë më 30 janar, ajo diskutoi për kërcënimet ndaj satelitëve nga Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, si dhe për një konflikt ‘në hije’ që tashmë po zhvillohet që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, që Rusia nisi më 2022.

Takimet e rrezikshme në hapësirë

“Kemi parë atë që ne do ta quanim operacione afrimi dhe takimi, që do të thotë… fluturim rreth e rrotull dhe vëzhgim i satelitit tjetër”, tha Burt, kur u pyet për incidentin e qershorit të vitit të kaluar.

Shqetësimi, shtoi ajo, ishte nëse “do të lëshonin një mjet shkatërrues” apo nëse bëhej fjalë “thjesht për mbikëqyrje dhe zbulim”. Rezultoi se ishte kjo e fundit. Megjithatë, situata mbeti alarmante, jo vetëm për shkak të rrezikut të përplasjes.

“Ajo që po shihni në këtë zhvillim, të gjitha këto janë teste që ndërtojnë gradualisht një kapacitet… hipotetikisht, nëse do të synoja të zhvilloja një aftësi në hapësirë, fillimisht do të doja që të sigurohesha se mund t’i identifikojë objektivat, përpara se të mund t’i godasë”.

Kjo nuk hera e parë që Burt paralajmëron për kërcënime të tilla ruse.

Incidenti i mëparshëm u përmend shkurtimisht nga shefi i atëhershëm i operacioneve hapësinore të Forcës Hapësinore të SHBA-së, gjenerali John Raymond, në një deklaratë për revistën Time në vitin 2020.

“Mënyra se si e imagjinoj unë këtë në mendjen time është si kukullat ruse matryoshka”, tha ai. “Sateliti i dytë doli nga sateliti i parë”.

Në vitin 2024, pasardhësi i Raymondit, gjenerali Chance Saltzman, paralajmëroi për një “Ditë Zero” nëse Rusia do të vendoste një armë bërthamore në hapësirë, e aftë të shkatërrojë kapacitetet e satelitëve.
Po atë vit, një pretendim i Pentagonit se Rusia “me gjasë” kishte vendosur një armë antisatelitore në hapësirë u hodh poshtë nga Kremlini.

Më 21 janar, ndërkaq, një raport i Këshillit të Atlantikut tha se SHBA-ja është “në mënyrë të papranueshme e cenueshme” ndaj kërcënimeve të tilla dhe bëri thirrje që vendi të kalojë drejt “arkitekturave satelitore më të qëndrueshme”.

Burt tha se ky është tashmë është një prioritet kryesor për SHBA-në: “Të kesh aftësinë të përballosh një goditje dhe të jesh në gjendje të rikuperohesh… me satelitë në depo që janë gati për t’u lëshuar”.

Një stërvitje e kryer më 2023, me emrin e koduar Victus Know, vendosi një rekord të ri për lëshimin e një sateliti “nga depoja në kapacitet operacional në orbitë brenda një jave”, sipas një njoftimi të Forcës Hapësinore. Por, për Burtin, kjo nuk mjafton.

“Si ta bëni këtë në një shkallë të gjerë? Ne e kemi bërë këtë në mënyrë të izoluar, vetëm një herë. Si të arrijmë ta bëjmë këtë në përmasa të mëdha, në mënyrë që të ndërtojmë qëndrueshmëri”, tha ajo.