Shqipëria ka ratifikuar vendimin për Komitetin e Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, i njohur si CEFTA, që synon lehtësimin e tregtisë së shërbimeve për agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë.

Vendimi përcakton rregulla të reja që synojnë të heqin pengesat e panevojshme në tregun rajonal, duke garantuar që procedurat e licencimit dhe kërkesat administrative të mos kthehen në barriera për ofruesit e shërbimeve turistike.

Sipas ligjit, masat do të zbatohen për të gjitha shërbimet e ofruara nga agjencitë dhe operatorët turistikë mes vendeve palë, qoftë përmes ofrimit ndërkufitar, pranisë tregtare apo përmes personave fizikë që ushtrojnë aktivitet në një shtet tjetër të marrëveshjes.

Vendimi ndalon në mënyrë të qartë kërkesat diskriminuese që lidhen me vendin e origjinës së kompanisë apo të stafit të saj. Po ashtu, nuk do të lejohen kufizime sasiore apo gjeografike, detyrime për forma të caktuara ligjore, vendosja e tarifave minimale apo maksimale fikse, si dhe përfshirja e operatorëve konkurrues në procesin e dhënies së licencave.

Gjithashtu, ndalohen kërkesat për sigurime apo garanci financiare vetëm nga subjekte të vendosura në një shtet të caktuar, me përjashtime të përcaktuara në legjislacionin financiar.

Me këtë ratifikim, synohet krijimi i një tregu më të hapur dhe konkurrues për sektorin e turizmit në rajon, duke rritur mundësitë për bashkëpunim ndërkufitar dhe duke lehtësuar aktivitetin e operatorëve shqiptarë në vendet e tjera të marrëveshjes. Ligji është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi sipas përcaktimeve ligjore.