Meteorologu Hakil Osmani në një lidhje me Klan News bëri me dije sesi do të jetë moti në fundjavë në vendin tonë.

Ai tha se fundjava pritet të shoqërohet me reshje shiu, teksa në zonat malore nuk do të mungojë edhe dëbora. Sipas tij, edhe era do të jetë e fortë, sidomos të shtunën, duke sjellë probleme me trafikun detar.

“Do kemi shi dhe në disa zona malore, madje edhe dëborë. Do kemi reshje, që do kenë dhe formë rrebeshi herë pas here. Ky mot do na shoqërojë nga e shtuna në darkë deri nga e diela në mëngjes. Përgjatë fundjavës do kemi ritje të temperaturave, teksa maksimalja do të jetë 18 gradë celcius.
Javës tjetër do kemi rënie të temperaturave. Era do të jetë mjaft e fortë të shtunën, ku në bregdet do të jetë rreth 75 km/orë dhe më e ndjeshme do të jetë në Durrës, Vlorë, Sarandë, duke qenë problematike sa i përket trafikut detar”, tha meteorologu Hakil Osmani.