Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, deklaroi këtë të mërkurë në hapjen e Ministerialit për Korridorin VIII në Tiranë se ky projekt është më shumë se një vijë në hartë. Sipas saj ky projekt është një investim kyç për të ardhmen e rajonit dhe forcimin e lidhjeve me zemrën e Bashkimit Europian.

Spiropali e përshkroi Korridorin VIII si ndërlidhjen e munguar lindje-perëndim që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, si dhe tregjet dhe njerëzit e Ballkanit Jugor. Ajo tha se projekti nuk është një ide abstrakte, por një zgjidhje reale në terren që Shqipëria po e ndërton tashmë.

“Ndërlidhja nuk është vetëm asfalt dhe hekurudha ajo do të thotë mundësi, qëndrueshmëri dhe, në Evropën e sotme, siguri”, u shpreh Spiropali, duke nënvizuar se Shqipëria nuk po pret që Korridori VIII të ndodhë ajo tashmë e po e ndërton atë.

Ministrja përmendi se Shqipëria ka një portofol projektesh prioritare me vlerë mbi 2 miliardë euro, shumica e të cilave janë gati për zbatim. Ajo vuri në dukje avancimin e projekteve hekurudhore dhe rrugore, duke përfshirë linjën Durrës-Rrogozhinë dhe segmentet rrugore drejt kufirit lindor, si dhe interkonjeksionin 400 kV me Maqedoninë e Veriut që po përfundon.

Spiropali e konsideroi Korridorin VIII edhe si një aset strategjik për sigurinë, duke theksuar se ai mundëson lëvizje më të shpejtë dhe të parashikueshme të forcave aleate në rajon një qëndrim që është evident edhe në prioritetet e diskutimit të NATO-s për mobilitetin ushtarak.

Megjithatë, ajo nënvizoi se është vendimtare që Korridori VIII të përfshihet në rrjetin bazë të transportit TEN-T të Bashkimit Europian. Pa këtë status, projekti rrezikon të mos tërheqë investimet dhe prioritetet financiare që kërkohen, duke mbetur financiarisht dytësor.

“Korridori VIII duhet të pranohet brenda rrjetit bazë ose rrjetit bazë të zgjeruar TEN-T. Kjo do të zhbllokonte financimet, do të sinkronizonte investimet dhe do ta kthente këtë korridor në një prioritet të vërtetë evropian,” tha Spiropali.

Ministrja theksoi se, për tre dekada, Korridori VIII është konsideruar premtim në letër, por tani po bëhet realitet falë përparimit të projekteve konkrete dhe bashkëpunimit rajonal. Ajo shtoi se ky korridor shkurton distancat, ul kostot dhe lidh tregjet, bizneset, fuqinë punëtore dhe ekonomitë e vendeve të përfshira.

“Sot ky korridor është një deklaratë politike për rajonin ai tregon se Adriatiku dhe Deti i Zi nuk janë kufij perëndimorë të Evropës, por porta hyrëse të saj,” përfundoi Spiropali.