Takimi i radhës trepalësh midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës u zhvillua në Mynih, duke konfirmuar vijimësinë e dialogut strategjik dhe koordinimit në fushën e sigurisë.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, u takua me homologun kroat Ivan Anušić dhe ministrin e Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci, në një kohë kur mjedisi i sigurisë në Evropë dhe rajon karakterizohet nga dinamika të shtuara dhe nevoja për përgjigje të koordinuara.
Diskutimet u fokusuan në thellimin e bashkëpunimit në mbrojtjen e përbashkët, rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura, zhvillimin e industrisë ushtarake dhe ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme mbrojtëse.
Takimi rikonfirmoi vullnetin politik të tre vendeve për të vepruar si faktorë stabiliteti në rajon, për të forcuar sigurinë kolektive dhe për të kontribuar në arkitekturën euroatlantike të sigurisë përmes partneriteteve konkrete dhe rezultateve të matshme.
“Konferenca e Sigurisë e Mynihut shërbeu si një mundësi e vlefshme për të vijuar dhe thelluar diskutimet trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës. Së bashku me kolegët Ivan Anušić dhe Ejup Maqedonci, diskutuam mbi hapat e radhës në projektet e përbashkëta që synojnë forcimin e sigurisë kolektive dhe rritjen e ndërveprueshmërisë. Një përpjekje e përbashkët për më shumë bashkëpunim në mbrojtje, zhvillim kapacitetesh dhe avancimin e industrisë ushtarake. Një bosht i rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë në rajon”, shkruan ministri Vengu.




















