Donald Trump do ta bazojë vendimin e tij për sulm ajror ndaj Iranit nga vlerësimi që do të bëjnë të dërguarit e tij Steve Witkoff dhe Jared Kushner, lidhur me qasjen që do të ketë Teherani për të hequr dorë nga kapaciteti për të prodhuar armë bërthamore.

Presidenti nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për ndonjë goditje, ndërsa administrata përgatitet për propozimin e fundit të Iranit këtë javë, para raundit të fundit të negociatave të planifikuara për të enjten në Gjenevë, raporton The Guardian.

Bisedimet udhëhiqen nga Witkoff dhe Kushner, vlerësimi i të cilëve për mundësinë e një marrëveshjeje do të ndikojë në llogaritjet e Trump.

Nëse nuk ka marrëveshje, Trump u ka thënë këshilltarëve se po konsideron sulme të kufizuara për të ushtruar presion ndaj Iranit dhe, nëse ato dështojnë, një sulm shumë më të madh për të detyruar ndryshim regjimi.

Një zyrtar amerikan tha të hënën se Witkoff është pjesë e grupit që këshillon Trumpin për vendimin se si të veprojë me Iranin dhe ka qenë i përfshirë në të gjitha takimet lidhur me këtë.

Ai ka kërkuar mendime nga një gamë e gjerë zyrtarësh në West Wing javët e fundit për atë që duhet të bëjë me Iranin.

Këshilltarët kryesorë përfshijnë zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e shtetit Marco Rubio, drejtorin e CIA-s John Ratcliffe, sekretarin e mbrojtjes Pete Hegseth, gjeneralin Dan Caine (kryetar i shtabit të bashkuar), Susie Wiles (shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë) dhe Tulsi Gabbard (drejtore e inteligjencës kombëtare).Vance ka paraqitur të dyja anët e argumentit për goditje ajrore, por ka shtyrë gjeneralin Caine për rreziqet e mundshme, pasi ka qenë shumë më pak i sigurt për suksesin e sulmit ndaj Iranit krahasuar me operacionin për kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro.