Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po planifikon një vizitë zyrtare në Greqi, njoftoi të dielën ambasadorja amerikane në Athinë, Kimberly Ann Guilfoyle, duke treguar rritjen e interesit të Uashingtonit për rajonin e Mesdheut Juglindor.
Duke folur gjatë prezantimit të filmit dokumentar të Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, Guilfoyle shprehu padurimin për të pritur vizitën e presidentit dhe bashkëshortes së tij.
«E di që Presidenti do të vijë, dhe mezi pres që të dy, përfshirë Melanian, të vizitojnë Greqinë», tha Guilfoyle. «Do të ishte një nder i jashtëzakonshëm për vendin».
Ajo nuk specifikoi se kur do të ndodhte vizita apo nëse Trump do të vizitonte edhe vendet fqinje me rëndësi strategjike për SHBA-në, si Izraeli, Qiproja dhe Turqia.
Megjithatë, vetë njoftimi ka rëndësi politike për Evropën Juglindore, një rajon i përfshirë në tensione për mosmarrëveshje detare veçanërisht midis Greqisë dhe Turqisë dhe për mosmarrëveshjet mbi burimet energjetike.
Që nga rizgjedhja e Trumpit, kompanitë amerikane kanë rritur investimet për eksplorimin e gazit dhe naftës në Mesdheun Lindor. Guilfoyle e ka cilësuar Greqinë si “lojtar kryesor në të ardhmen energjetike të Evropës”. Për më tepër, ndryshe nga disa partnerë të SHBA-së në BE, Greqia mbështet Trumpin për nevojën që Evropa të importojë më shumë gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja.
Në të njëjtën kohë, Athina ka ringjallur marrëdhëniet me Izraelin dhe Qipron për të forcuar koordinimin në fushën e mbrojtjes dhe energjisë. Kjo ringjallje ndiqet me kujdes në Ankara, ku zyrtarët shqetësohen se kjo treshje mund të prishë ekuilibrin rajonal të pushtetit.
Pas viteve të tensioneve në Egje, ekzistojnë shenja se marrëdhëniet greko-turke mund të përmirësohen. Javën e kaluar, të dy vendet nisën një dialog politik të nivelit të lartë, që do të çojë në një takim midis kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në gjysmën e parë të shkurtit.
Njëkohësisht, Ankaraja publikoi javën e kaluar NAVTEX afatgjata, një njoftim për sigurinë detare që informonte Athinën se do të zhvilloheshin ushtrime dhe aktivitete detare në zonë. Greqia e hodhi poshtë NAVTEX-in turk si të papërfillshëm ligjërisht dhe e quajti një veprim politik për të ushtruar presion mbi Athinën.
“Turqit po përpiqen të pengojnë takimin Mitsotakis-Erdoğan”, tha Angelos Syrigos, ligjvënës i partisë në pushtet Demokracia e Re.
Megjithatë, rritja e interesit amerikan për potencialin energjetik të rajonit mund të riorganizojë kartat dhe të shtyjë rivalët drejt një zgjidhjeje politike.
Trump dhe Erdogan duket se kanë një kuptim të përbashkët për ekuilibrin lokal të pushtetit, ndërsa Turqia, ndryshe nga Greqia, iu bashkua iniciativës së Bordit të Paqes të Trump.
Një zgjidhje lidhur me kërkesën e Turqisë për t’u rikthyer në programin amerikan të avionëve F-35 — nga i cili u përjashtua në 2019 pas blerjes së sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore S-400 — mund të jetë gjithashtu në rrugë.
“Besoj se këto çështje lidhur me F-35 do të zgjidhen brenda katër deri në gjashtë muajve të ardhshëm; marrëdhënia midis dy presidentëve është e mirë”, tha ambasadori i SHBA-së në Ankara, Tom Barrack. Greqia dhe Izraeli e kanë kundërshtuar fuqishëm blerjen e F-35 nga Turqia.
Turqia mbetet gjithashtu në qendër të politikës amerikane për Sirinë, me Trump që nënvizon lidhjet e tij të ngushta me Erdoganin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të sigurisë në veri të vendit. Pjesë të mëdha të Sirisë veriore kanë qenë nën kontrollin e forcave kurde, të cilat kundërshtohen nga Ankaraja, por ky ekuilibër ka ndryshuar kohët e fundit pas ofensivave të mbështetura nga Turqia.




















