Kryeministri Edi Rama përmes një postmi në “Facebook” ka ndarë pamje nga vizita e tij në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania. Rama shkruan se pati një ndjesi të veçantë gjatë vizitës së tij në bazilikë.

Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama dhe djali i tyre. Gjatë vizitës, Rama ka kryer edhe lutje në bazilikë.

“MIRËMËNGJES dhe me ndjesinë e veçantë të vizitës në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania, e në vigjilje të takimit me Atin e Shenjtë, ju uroj një ditë sa më të paqtë”, shkruan Rama.

Lutja e kryeministrit Edi Rama:

O Mari, Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë atdheut!

Sot po vijmë tek ti, edhe një herë, të ta besojmë popullin tonë, familjet tona, rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e bekuar. Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit. O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne!