Në seancën e sotme për masën e sigurisë, Erion Veliaj është paraqitur pa avokat të zgjedhur, duke u mbrojtur personalisht në kërkesën për zëvendësimin e masës “arrest në burg”. Veliaj ka refuzuar avokaten e caktuar kryesisht nga gjykata dhe ka kundërshtuar çdo formë mbrojtjeje të realizuar prej saj, duke argumentuar se ajo nuk ka njohje reale mbi dosjen penale dhe se një përfaqësim i tillë është në kundërshtim të plotë me interesat dhe strategjinë e tij të mbrojtjes dhe nuk përfaqëson vullnetin e tij.

Sipas Veliajt, e drejta për mbrojtje nuk mund të reduktohet në një prani formale avokati, por kërkon njohje efektive të provave dhe aftësi reale për t’i kundërshtuar ato. Ai ka bërë të ditur se të premten ka testuar profesionalisht avokaten e caktuar nga gjykata, nga ku ka rezultuar se ajo nuk kishte njohuri reale mbi dosjen, ndonëse bëhet fjalë për një çështje voluminoze dhe komplekse, e cila, sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kërkon një periudhë shumë të gjatë dhe serioze pune për t’u përvetësuar nga një profesionist. Për këtë arsye, Veliaj ka deklaruar se nuk pranon që kjo mbrojtje të flasë apo të veprojë në emrin e tij.

Në këtë kontekst, kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë lidhet drejtpërdrejtë edhe me pamundësinë objektive për t’u njohur me dosjen në kushtet e izolimit. Veliaj ka këmbëngulur se realizimi i së drejtës për t’u njohur me aktet dhe për të ndërtuar vetë mbrojtjen e tij përbën një shkak autonom dhe thelbësor për zëvendësimin e masës “arrest në burg”, duke theksuar se asnjë avokat, sado mirë të njohë dosjen, nuk mund të ndërtojë një mbrojtje reale pa bashkëpunim të plotë me të pandehurin dhe pa njohjen e drejtpërdrejtë personale të çështjes. Në këto kushte, vijimi i paraburgimit, sipas tij, ka humbur proporcionalitetin dhe bie ndesh me standardet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor. Paraburgimi eshte kthyer nga nje instrument i mbrojtjes se hetimit ne nje instrument denimi pa gjyq dhe pa proces te rregullt ligjor.