Një aksion për pastrimin e mbetjeve përgjatë Lumit Vjosa është zhvilluar nga Agjencia e Vjosës, Bashkia e Përmetit, Zyra e Administrimit të Parkut Kombëtar “Lumi Vjosa” në bashkëpunim me operatorët turistikë të raftingut.

Nisma synon ruajtjen e ekosistemit të lumit, i cili konsiderohet një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë dhe një pasuri natyrore me rëndësi të veçantë. Gjatë aksionit, pjesëmarrësit kanë ndërhyrë në disa zona përgjatë brigjeve të lumit për të larguar mbetjet e depozituara, duke kontribuar në përmirësimin e mjedisit dhe mbrojtjen e biodiversitetit.

Përfaqësues të institucioneve dhe operatorëve turistikë theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes komunitetit lokal, bizneseve dhe autoriteteve për të garantuar mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të Parkut Kombëtar “Lumi Vjosa”.

Vjosa është një nga lumenjtë më të rëndësishëm natyrorë në rajon dhe gëzon mbrojtje ndërkombëtare, përfshirë vlerësimin dhe mbështetjen nga UNESCO për ruajtjen e trashëgimisë natyrore. Iniciativa të tilla synojnë jo vetëm pastrimin e zonës, por edhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e mbrojtjes së kësaj pasurie natyrore.

Operatorët turistikë të raftingut në Vjosë zhvillojnë aktivitete të shumta gjatë sezonit turistik dhe theksojnë se ruajtja e pastërtisë së lumit është thelbësore për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në zonë.