SHBA-të kanë nisur një nga operacionet më të mëdha dhe më të kushtueshme për të nxjerrë në sipërfaqe mbetjet e rreth 250 ushtarëve amerikanë që humbën jetën në Ōryoku Maru, një anije japoneze e përdorur për transportin e robërve dhe e fundosur në vitin 1944 në Filipine.

SHBA ka nisur një nga operacionet më të mëdha dhe më të kushtueshme të rikuperimit nënujore, me synimin për të nxjerrë në sipërfaqe mbetjet e rreth 250 ushtarëve amerikanë që humbën jetën në Ōryoku Maru, një anije japoneze e përdorur për transportin e robërve dhe e fundosur në vitin 1944 në Filipine.

Operacioni është financuar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes dhe në ujërat e Subic Bay ndodhen disa anije të marinës amerikane që mbështesin një ekip prej 15 zhytësish. Ata kanë për detyrë të depërtojnë në relikt për të gjetur dhe identifikuar mbetjet e ushtarëve, në një nga ndërhyrjet më të vështira të këtij lloji.

Ōryoku Maru u fundos në vitin 1944 me mbi 1600 persona në bord. Sot besohet se brenda saj ndodhen ende mbetjet e rreth 250 robërve të luftës aleatë, kryesisht amerikanë.

Kjo anije bënte pjesë në të ashtuquajturat “Hell Ship”, një term i përdorur për anijet civile që ushtria japoneze i përdorte gjatë Luftës së Dytë Botërore për të transportuar robër drejt kampeve të punës. Kushtet në bord ishin ekstremisht të rënda: mungesë ajri, ushqimi dhe higjiene, ndërsa të burgosurit transportoheshin në kushte çnjerëzore.

Për më tepër, këto anije nuk kishin asnjë shenjë dalluese që të tregonte praninë e robërve, si Kryqi i Kuq. Kjo i bënte objektiva të sulmeve, dhe pikërisht kështu u fundos edhe Ōryoku Maru, nga një sulm ajror aleat.

Operacioni aktual po zhvillohet prej rreth një muaji dhe koordinohet nga DPAA, agjencia e Pentagonit që merret me rikuperimin e ushtarëve të zhdukur. Zona e operacionit është Subic Bay, në bregun perëndimor të ishullit Luzon, përballë Detit të Kinës Jugore.

Edhe pse në letër duket një mision i realizueshëm – relikti ndodhet vetëm 500 metra nga bregu dhe në një thellësi rreth 27 metra – në praktikë është jashtëzakonisht kompleks.

Në zonë janë depozituar me kalimin e viteve sasi të mëdha rëre dhe balte, për shkak edhe të rrjedhave nga lumi nëntokësor i Puerto Princesa. Kjo e bën dukshmërinë nën ujë shumë të ulët.

Për më tepër, struktura e anijes është kthyer në një grumbull çeliku të deformuar, pasi relikti është dëmtuar edhe nga shpërthime të mëvonshme për të hapur rrugë për kalimin e anijeve në atë zonë.

Vështirësitë nuk mbarojnë këtu. Operacioni rrezikohet edhe nga kushtet e motit dhe nga mundësia e uraganeve, që janë të shpeshta në atë rajon.

Sipas ushtrisë amerikane, kjo ndërhyrje përfaqëson një angazhim të fortë ndaj familjeve të ushtarëve të humbur, një përpjekje për t’i kthyer në shtëpi edhe pas më shumë se tetë dekadash.

Megjithatë, mbetet e paqartë sa mbetje mund të jenë ruajtur në kushte detare pas kaq shumë vitesh dhe nëse identifikimi i tyre do të jetë i mundur.

“Ka shumë gjasa që të duhen vite”, ka deklaruar John Byrd, drejtues i analizës shkencore në DPAA.

Në të njëjtën kohë, nuk mungojnë edhe pyetjet për kohën dhe vendin e këtij operacioni. Anijet amerikane ndodhen në Detin e Kinës Jugore, në një zonë shumë të ndjeshme nga pikëpamja strategjike dhe jo shumë larg Tajvanit.

Kjo ka bërë që disa analistë të ngrenë dyshime nëse prania amerikane lidhet vetëm me misionin historik apo edhe me tensionet në rritje në rajon, përfshirë aktivitetet ushtarake të Kinës në zonë.

Paralelisht me operacionin në terren, puna vazhdon edhe në laboratorë. Një ekip antropologësh forensikë në Haëaii po analizon materialin gjenetik për të identifikuar mbetjet që mund të gjenden.

Operacioni kërkon përdorimin e teknologjive shumë të avancuara: robotë dhe dronë nënujore, sonarë dhe magnetometra për të identifikuar strukturat e fshehura, si dhe sisteme digjitale për të përpunuar të dhënat dhe për të krijuar modele virtuale të reliktit.

Bëhet fjalë për një ndërhyrje që kombinon teknologjinë më të avancuar me një nga operacionet më të vështira detare.