Shkruan: Shenoll Muharremi
Kur nuk aplikon qasje dhe metoda të qëndrueshme në politikë, sidomos kur rrezikon shumë, aq shumë sa politika shndërrohet në një lloj loje pokeri, ti ndodh që fiton shumë së rreziku është i madh (kthimi i madh), por mjafton një herë punët me shku keq dhe ti mundesh me qenë në telashe të mëdha.
Pra, problemi me këtë qasje (o krejt, o asgjë) është se mjafton një herë që gjërat me shku keq, me dal prej kontrollit tënd, dhe ti mundesh me i humbë të gjitha.
Për këtë arsye, në politikë, në institucione publike dhe në politika shtetërore duhet të aplikohen qasje të qëndrueshme. Jo një stil që herë fiton shumë e rrezikon me i humbë të gjitha… por një qasje ku qëndron gjatë, ndërton stabilitet dhe fiton vazhdimisht.
Kjo arrihet vetëm përmes bashkëpunimit me të tjerët, duke dëgjuar mendimet ndryshe dhe duke ndërtuar konsensus, e jo si kemi pa përmes arrogancës dhe imponimit si mekanizëm i vetëm për zgjidhje.
Sot jemi në një situatë ku Kosova rrezikon të shkojë përsëri në zgjedhje të reja.
Kjo është kryekëput pasojë e vendimeve dhe metodave të LVV-së dhe të Albin Kurtit në aventurën e tyre për pushtet absolut. Një përpjekjen afatgjate për ta kontrolluar njëkohësisht qeverinë, kuvendin dhe presidencën.
Por duket se punët kanë fillu të dalin jashtë kontrollit me zgjedhjen e presidentit. Një proces jashtëzakonisht keq i menaxhuar.
Këtu është ai momentu ku mjafton një moment që gjërat me shku keq, me të humbë kontrolli, dhe atëherë mundesh me fillu me i humbë të gjitha.
Në fund, humbësi më i madh nuk janë politikanët. Humbi më i madh është qytetari i Kosovës… familjet, bizneset dhe ekonomia e vendit. Ata janë që vazhdimisht paguajnë çmimin e veprimeve dhe metodave të papërgjegjshme të atyre që duhet të mendojnë për interesin e shtetit dhe të publikut, jo për ambiciet e tyre për ta pasur gjithçka nën kontroll.
Demokracia nuk funksionon kështu. Demokracia kërkon mekanizma kontrolli dhe balancimi. Në momentin kur dikush synon të kontrollojë gjithçka, atëherë nuk është më demokraci por hyrje dhe fillim i autokracisë.
Dhe zakonisht, në atë moment, edhe vetë politika del plotësisht nga binarët se sistemi nuk e duron. Sistemi politik, kushtetuta dhe kultura politike është e ndërtuar të abortoj tendencat për devijim të demokracisë dhe fushave ku humbet binlanci.
Me gjasë kjo ka filluar të manifestohet. Ditët dhe javët e ardhshme do të kuptojmë nëse loja e pokerit ‘o krejt o asgjë’ ka filluar tashmë të tregoj anët e saja negative dhe të dhimbshme.
Nuk do të kishte injorancë më të madhe politike sesa dje të i fitosh 51% e sot të i rrezikosh të gjitha, pa pasur ndonjë dobi afatgjate nga veprimet që po ndërmerr./NACIONALE




















