Avokati i familjarëve të viktimave të Gërdecit Dorian Matlija tha për News Room se për çështjen e Gërdec provat janë të mjaftueshme që Fatmir Mediu të gjykohet, duke theksuar se përgjegjësia duhet të shtrihet në të gjithë zinxhirin vendimmarrës, deri te ministri i Mbrojtjes.

Sipas tij, edhe pse kanë kaluar shumë vite, për familjarët e viktimave tragjedia mbetet një çështje e hapur që kërkon drejtësi.

“Ka pasur problemin e sigurisë dhe standardet e sigurisë së rëna për tokë. Ka pasur dhe shumë të pandehur të tjerë që janë dënuar dhe kanë dalë të pafajshëm. Ka 4 persona që në gjykimin e parë janë dënuar për shpërdorim detyre dhe Mediu ka mbetur i vetmi person që nuk është gjykuar. Ka 5 persona që prokuroria mendon se janë përgjegjës. Pavarësisht se ne që e shohim nga jashtë mendojmë se ka kaluar shumë kohë, për familjarët është një çështje e pakohshme.

Gërdeci është drejt një fundi të vonuar, duke vendosur para përgjegjësisë jo vetëm ata që kanë lidhje, por edhe zinxhirin administrativ. Ka pasur çështje të tjera që kërkojnë hetimin e gjithë zinxhirit vendimmarrës dhe në këtë rast nuk mjafton vetëm përgjegjësia e ushtarakëve të nivelit të ulët, por duhet shkuar deri te ministri i Mbrojtjes. Nuk ka mundësi të prodhosh sot prova të reja, por duhet gjykuar kjo pjesë që ka akuza. Provat janë të mjaftueshme që Mediu të gjykohet.” / abcnews.al /