Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh dhe drejtues politik për Diasporën, Taulant Balla, zhvilloi një vizitë në Athinë me rastin e 20-vjetorit të krijimit të strukturave të Partisë Socialiste në Greqi.

Në takimin festiv morën pjesë drejtues dhe anëtarë të Partisë Socialiste ndër vite, të cilët kanë kontribuar në organizimin dhe forcimin e strukturave të partisë në diasporë. Gjatë aktivitetit u vlerësua puna dhe angazhimi i tyre në betejat dhe sfidat elektorale, si dhe roli i rëndësishëm që diaspora shqiptare në Greqi ka pasur në proceset politike dhe demokratike të Shqipërisë.

Balla shprehu mirënjohjen për kontributin e të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Socialiste në Greqi, duke theksuar se organizimi i diasporës mbetet një prioritet i rëndësishëm për forcimin e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Në kuadër të këtij përvjetori, u bë me dije se do të nisë edhe një fazë e re anëtarësimesh në strukturat e Partisë Socialiste në Greqi, me synimin për të rritur më tej angazhimin e komunitetit shqiptar në proceset politike dhe veçanërisht në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2029.

Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se Partia Socialiste do të vijojë të zgjerojë organizimin në diasporë kudo ku jetojnë shqiptarë, duke e konsideruar diasporën një partner të rëndësishëm në zhvillimin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.