Tensionet në Lindjen e Mesme arrijnë kulme të reja. Irani refuzon negociatat me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Donald Trump paralajmëron për pasoja të rënda duke deklaruar se: Do shpërthejë ferri! Ndërkohë, luftimet vijojnë në disa fronte, duke rritur frikën për një përshkallëzim të gjerë rajonal.
Bota duket gjithnjë e më pranë një përplasjeje të madhe, ndërsa tensionet mes Iranit, SHBA-ve dhe Izraelit po përshkallëzohen me ritme të shpejta.
Nga njëra anë, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka propozuar një plan paqeje me 15 pika për Teheranin, por përgjigjja e Iranit ka qenë e prerë: jo për negociata me SHBA-të.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, u tha mediave shtetërore se Irani “nuk kishte ndërmend të negocionte për momentin” dhe se vendi do të vazhdojë të “mbrojë” veten.
Menjeherë pas kësaj deklarate presidenti amerikan ka Donald Trump ka ashpërsuar tonet, duke deklaruar se Irani “ka frikë” të pranojë bisedimet dhe duke paralajmëruar se situata mund të përshkallëzohet në “ferr”.
Më parë, Shtëpia e Bardhë tha se SHBA-të ishin “shumë afër” përmbushjes së objektivave të tyre në Iran, duke shtuar se regjimi iranian po kërkonte një “rrugë daljeje”.
Një zyrtar iranian i tha mediave shtetërore se Irani më parë kishte lëshuar pesë kushte për t’i dhënë fund luftës, duke përfshirë një përfundim të konfliktit “në të gjitha frontet” dhe pagesën e dëmshpërblimeve.
Ndërkohë, zhvillimet në terren janë alarmante. SHBA-të dhe Izraeli kanë ndërmarrë operacione të përbashkëta ushtarake ndaj objektivave iraniane, ndërsa në Liban, grupi Hezbollah ka refuzuar çdo mundësi armëpushimi, duke e cilësuar një gjë të tillë si “dorëzim” përballë sulmeve izraelite.
Izraeli ka shtuar praninë ushtarake në jug të Libanit, në atë që mund të quhet si një pushim i vendit, ndërsa luftimet vijojnë pa ndërprerje.
Në të njëjtën kohë, Irani po përgatitet për skenarë më të rëndë. Në ishullin strategjik Kharg, që përpunon pjesën më të madhe të eksporteve të naftës së vendit, janë vendosur mina dhe sisteme të avancuara mbrojtjeje, në pritje të një ndërhyrjeje të mundshme amerikane.
Paralelisht, sulmet me raketa dhe dronë vijojnë në rajon. Emiratet e Bashkuara Arabe raportojnë interceptime të sulmeve iraniane, ndërsa në Izraelin qendror disa persona janë plagosur pas goditjeve me raketa.


















