Kryeministri Edi Rama ka thënë këtë mërkurë se qeveria sipas tij është në punë për të finalizuar një nismë për të futur në treg si distributor shumice një faktor shtetëror.

Po ashtu Rama ka theksuar se deri më tani nuk e kanë parë të arsyeshme që të ngrenë Bordin e Transparencës deri më tani.

“Nga ana tjetër ne kemi vënë në konsultim publik ligjin për rezervën shtetërore që do duhet të shtrihet fizikisht në 100 ditë, në 3 muaj më saktë. Dhe dua t’u them që jemi në punë për të finalizuar edhe një nismë që kemi ndërmarrë për të futur në treg si distributor garant dhe shumice një faktor shtetëror, gjë që besojmë do ta bëjë më të lehtë dhe për ju të gjithë punën. Do të garantojë sasirat e nevojshme duke pasur mbështetje dhe do të lehtësojë marrëdhëniet me të tretët. Ne do të synojmë të kemi marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kompanitë. Dua ta mbyll duke ju kërkuar të ruani këtë ekuilibër që keni ruajtur deri tani, ne nuk kemi parë të arsyeshme që të hedhim hapin dhe të kalojmë në Bord, pasi nëse dialogu funksionon nuk kemi qëllim t’ju shtrëngojmë në punën tuaj, por të merremi vesh që kriza në Lindjen e Mesme nuk mund të projektohet e tëra mbi supet e konsumatorëve. Pra më mirë marzhe më të ulëta fitimi se sa bordi në kurriz”, tha Rama.