Nga Col Mehmeti

Njohja e pronësisë së Manastirit të Deçanit mbi njëzet e katër hektarë tokë është më pak tragjike sesa që duket prima facie. Hektari i humbur, në kulturën tonë politike, ka qenë njësia themelore me të cilën janë prodhuar kauza apo janë peshuar në kandarin e hipokrizisë atdhetarët e joatdhetarët. Këtu, njerëzia ka hequr keq për mend dhe për ata që do të duhej ta bënin të kuptueshme një gjë fare të thjeshtë. Ngastrat në fjalë – tokë bujqësore e pyje me lajthi e pisha – e kishin fituar titullarin e vet në letra qysh më 2012. Nga gjykata në gjykatë, kjo quhej ‘res judicata’, pra çështje për të cilën nuk ka nevojë të bëhet poterë e as të pleqërohet më tutje. Tragjedia e vërtetë është që Kurti e dinte fare mirë epilogun, por hiqej sikur bënte kompromise për ta avitur Kosovën në Këshill të Evropës. Në të vërtetë, ai nuk bëri as kompromise e as nuk strategjizoi. Ai e përjetoi me sytë e tij sesi lindi dhe vdiq iluzioni se ka dy lloj serbësh në Kosovë.

Col Mehmeti

9 mars 2026 – Në mëngjesin e trembëdhjetë marsit të dymijë e njëzet e katërshit, shumica e ministrave dhe zëvendësministrave dukeshin me fytyra të buhavitur.

Ajo që në protokollet burokratike u shënua si mbledhja e 193-të e kabinetit qeveritar duhej ta jepte edhe një kumt për vendin.

Me sa duket vetë kryeministri ishte shterëzuar pagjumë gjithë natën e lume.

E hante nga brenda halli sesi ta gjente një mënyrë efikase për të ruajtur imazhin e patriotit edhe nëse do ta bënte kurban një nga shumë kauzat e tij populiste.

Fjala ishte për ta jetësuar një vendim për të cilin gjykatat disa herë radhazi e kishin rrahur çekanin.

Gverret që filluan më 1998
Fesati shumëvjeçar për tokat që i rivendikonin njësoj Manastiri i Deçanit dhe Komuna e Deçanit ishte pleqëruar ashtu që të parit i njihej përfundimisht pronësia mbi 24-hektarë rrotull Manastirit.

Edhepse evokimi i historisë së fesatit duket nervashkatërrues, le ta përmbledhim shkurt-e-shqip këtë rrugëtim:

24-hektarët e sherrit ishin regjistruar në kadastër në emër të manastirit në fillim të vitit 1998, mu atëherë kur Kosova po digjej në flakët e luftës.

Ky arbitraritet pasonte një tjetër arbitraritet kur qeveria e asobotshme jugosllave e Millosheviqit, në fund të 1997-s, ia dhuroi manastirit tokat përreth.

Në korrik të 2002-s, Gjykata komunale në Deçan konstatoi se ky dhurim ishte cenim i të drejtave pronësore.

Me këtë rast, ajo urdhëroi nga e para regjistrimin e këtyre ngastrave në kadastër në emër të ish-ndërmarrjeve ‘Iliria’ dhe ‘Apiko’.

Më 2005, ky vendim do të sprapsej nga një tjetër vendim gjykate, kurse në maj të 2008-s UNMIK-u vendosi që manastiri të gëzonte “pronësi të patrazuar” mbi ngastrat në fjalë.

Nga fesati në Res Judicata
Meqë deri në maj të 2009-s ende kishte tagër në të gjitha ish-ndërmarrjet shoqërore, UNMIK-u propozoi që Gjykata Supreme e Kosovës t’i jepte karar pronësisë.

Në disa dorë vendimesh – mars 2009; korrik 2010; dhjetor 2011 e dhjetor 2012 – Gjykata Supreme i dha të drejtë misionit të Kombeve të Bashkuara, duke e ligjësuar si përfaqësues të interesave të ndërmarrjeve shoqërore.

Kur më 20 maj 2016 Gjykata Kushtetuese i vuri pikat mbi ‘i’, çështja kishte mbërritur atje ku në gjuhën juridike quhet res judicata – pra, një çështje për të cilën nuk ka nevojë më për kotendje apo poeterë për apelime.

Qeveritë paraprake u dorëzuan përballë populizmit të Vetëvendosjes
Edhe me atë trohë njohje që kishte nga çështjet juridike, Kurti e dinte fare mirë që nuk do të pinte ujë kurrfarë marifeti populist për t’u bërë dalazotës i tokave.

Ai ishte kthyer në hero të ‘padrejtësive’ vetëm pse te tjerët para tij ishin treguar të qulltë për të vepruar ashtu siç kërkon ligji.

Secila qeveri pararendëse ishte në dijeni të vendimit të Gjykatës dhe pashmangshmërisë së vënies në jetë të tij.

Por ato i druheshin goxha shumë imazhit të tyre në publik përballë një Vetëvendosje të tërbuar e gjysmëterroriste që ua bënte gjëmën si tregtare tokash.

Pavarësisht se nuk iu falet ngurrimi i tyre, ato prapëseprapë arritën ta krijonin njëfarë karte negociale të hajrit.

Ato, së paku, e shestuan idenë që përmes shtyerjes së zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të sigurohej ndonjë lëshim qoftë nga Serbia, qoftë nga partnerët perëndimorë.

Por Kurti e dogji këtë aset.

Sharlatan-diplomacia e tij i vuri lak pozicionit të Kosovës duke ia djegur të gjitha letrat në mëngë me të cilat mund ta rriste pazarin negocial.

Albini që ‘sakrifikon’
Siç edhe shihet nga mbledhja e transmetuar drejtpërdrejtë, mëngjesin e trembëdhjetë marsit, Kurti harxhoi minuta të tërë në siklet duke e përligjur ‘lëshimin’ e tij.

Dikush që nuk e njihte atë edhe mund të binte rob i përshtypjes se Kurti po e bënte edhe veten kurban për të mirën publike.
Nëpër llogjet e tij endeshin këto arsyetime: Qeveria e tij i kishte harxhuar të gjitha mundësitë për ta apeluar “vendimin e padrejtë”; raporti i Këshillit të Evropës nuk linte tjetër shteg pos përmbushjes së kushtit në fjalë, dhe se kryeministri nuk do t’ia mohonte vendit anëtarësimin në KE.

Të nesërmen, vërtet pati përhajrime nga ambasadorët e QUINT-it që u gëzuan nga vullneti i Qeverisë për t’i lëvizur gjërat përpara.

Përnjëherësh kjo u duk si një strategemë e Kurtit që me disa lëvizje po shkëpuste të mira për vatanin.

Tribal për hir të Rashiqit
Krejt papritur, dy vite më vonë, dëshmia e Nenad Rashiqit e solli një perspektivë të re.

Megjithëse nga trysnia e VV-së ai i bëri disa ndreqje, deklarata e tij për ‘Radio Gorazhdevcin’ sjell Kurtin autentik, një kryeministër që e tribalizon sjelljen e tij sebep sigurimit të lojaliteteve politike.

Nga ç’tha “serbi i mirë” del cullak se diplomacia e Kurtit nuk është udhëhequr nga ndonjëfarë taktike a strategjie.

Ai ministrit të tij serb i kishte thënë se “për hatër tëndin” do ta zbatonte vendimin për tokat.

Kaq mjafton për ta kuptuar banalitetin e idesë budallaqe gjatë viteve të kaluara se do të krijohej figura e serbit lojal ndaj Kurtit, me demek Nenad Rashiqët si zëvendësim për Listën Serbe.

Dhe kur vendimet e Qeverisë zhgradoheshin asisoj sa të dukeshin të natyrës fisnore, askush më nuk e merrte seriozisht Kurtin.

Dhe me të drejtë përderisa kultura shtetërore helmatisej me logjikën bajraktariste ku një partneri të vocërr brenda qeverisë i jepet diçka “për hatër”.

Ky lloj Kurti tribal nuk u shfaq më i respektuar as në sytë e serbëve nenadrashiqistë e as nga ndonjë instancë e Kishës Pravosllave në Beograd.

Madje, një hallkë e saj si Eparkia Rashkë-Prizren, me 20 mars, i falej me shëndet raportueses greke Dora Bakoyanis për 24 hektarët dhe jo Kurtit.

Ç’thotë historia?
Përtej nivelit tejet katundaresk të albinokracisë, njohja e 24-hektarëve tokë si pronë e Manastirit të Deçanit ishte rast klasik për një vendim që natyrshëm zgjon hakërrim në baza etike, por ligjërisht është i drejtë.

E gjithë paslufta ishte kohë e çuar dëm gjatë të cilës mund të trashej një ‘dosje’ shqiptare për kontestin agonistik rreth Manastirit të Deçanit.

Me një dosje të tillë do të kuptohej, mes të tjerash, edhe problemi shumështresor i mëtimeve dhe kundërmëtimeve pronësore.

Kjo boshësi e vajtueshme u plotësua nga narrativat e papërgjegjshme të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kurrë nuk i tha ‘jo’ cilitdo problem që mund të përdorej si kauzë sot për nesër.

Kjo mosnjohje rrëqethëse prodhoi kaq shumë drama e intriga, të cilat në kushtet e polarizimit dhe politizimit të pashpirt rekrutuan në psikozën e tyre segmente të tëra shoqërore.

Më 31 mars 2024, bashkë me historianin Riad Limani e autoruam një skicë historike sesi filloi sherri i përjetshëm në portat e kishës së Deçanit.

Nga një shpalim modest i historisë del që ka një ‘evolucion’ të statusit të tokave që në fillim ishin metoh i manastirit (shekulli i 14-të), timar e vakëf (shekulli i 15-të e tutje), çiflig e ajanllëk (fundshekulli i 18-të), kontest agonistik midis mëtonjësve të ndryshëm (1918 e tutje), tokë e përvetësuar njëanshëm (periudha e Reformës Agrare), tokë e shtetëzuar (pas 1945-s), dhe, së fundmi, tokë e deshtetëzuar dhe e kaluar arbitrarisht në pronësi të manastirit (periudha e sundimit të Millosheviqit).

‘Shkenca’ e VV-së
Rrënjët shpesh mesjetare e paramoderne të fesateve për toka nuk do të duhej të evokoheshin në të sotmen, por një dosje e shtetit të Kosovës nuk do të rëndohej po të kishte një pasqyrë të tillë.

Deri më tani, regjimi albinkurtist nuk ka pasur ndonjë histori shembullore për të shkruar raporte të mirëfillta, aso ku do të kishte shkencë në vend të pasioneve e jargavitjeve për kauza.

Rasti i fundit ishte i ashtuquajturi raport për demarkacionin si fryt i një grupi ‘ekspertësh’.

Ai ishte shndërruar në shembull monumental sesi shumica e ‘kauzave’ të Vetëvendosjes nuk mbijetojnë dot nëse shkencorizohen.

Në rastin më të mirë, ato përfundojnë të përgënjështruara, në rastin më të keq përfundojnë si gaz i mëhallës./NACIONALE