Lutjen e tij gjatë kremtimit të Fitër Bajramit, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e ktheu në një mesazh për situatën në Lindjen e Mesme.
Rajoni po zien, tha kreu i shtetit turk teksa e përshkroi gjendje si shumë kritike. Erdogan shënjestroi më tej drejtpërdrejt Izraelin në fjalën e tij.
“Izraeli ka vrarë me mijëra njerëz dhe, dashtë Zoti që ai të paguajë për këtë. Lutem që vullneti i Zotit të na mbrojë dhe të na çlirojë sa më shpejt nga shkatërrimi sionist”, tha Erdogan.
Erdogani nuk la pa kritikuar edhe mbylljen e Xhamisë Al-Aqsa në Jerusalem dhe për këtë qëllim siç tha ai, lufta e Iranit u përdor thjesht si pretekst. Gishti i tij i akuzës u drejtua edhe te vendbanimet e paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor dhe territore të tjera palestineze të pushtuara.
Që nga 2 marsi, shtoi ai, Izraeli ka vrarë 1.000 persona në Liban dhe ka shkaktuar mbi 1 milion të zhvendosur me forcë. Mesazhi i Erdoganit erdhi në një kohë kur Turqia e ka dënuar në mënyrë të përsëritur ato që i quan krime e Izraelit ne Gaza dhe Liban gjatë muajve të fundit, ndërsa insiston për një fund të menjëhershëm të luftës dhe për ndëshkimin e përgjegjësve.




















