Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se së fundmi është përballur me një fushatë të qëllimshme baltosëse, që sipas saj cenon dinjitetin njerëzor dhe rrezikon vetë demokracinë në vend.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngritur alarmin për një fushatë të organizuar, që sipas saj synon jo kritikën, por diskreditimin personal dhe institucional.
Vjosa Osmani “Në javët e fundit, puna ime është përballur me një fushatë baltosëse që nuk ka të bëjë aspak me llogaridhënien. Është përpjekje për të zhveshur një njeri nga dinjiteti i tij.”
Deklaratat u bënë në hapje të Javës së Gruas 2026, ku Osmani theksoi se sulmet përmes propagandës dhe dezinformimit nuk janë vetëm personale, por përbëjnë kërcënim për demokracinë.
Ajo paralajmëroi se këto sulme dërgojnë një mesazh frikësues për gratë dhe vajzat që synojnë të angazhohen në jetën publike.
Vjosa Osmani- “Kur e vërteta bëhet e parëndësishme dhe shpifja mjet kryesor, atëherë demokracia është në rrezik. Kjo është një përpjekje për frikësim dhe eliminim përmes propagandës. Nuk është vetëm çështje personale.”
Presidentja kërkoi institucione më aktive për të luftuar dezinformimin dhe abuzimin me teknologjinë, duke theksuar se lidershipi i ndjeshëm ndaj gjinisë është domosdoshmëri.
Sipas saj, mbrojtja e së vërtetës dhe dinjitetit njerëzor mbetet thelbësore për ruajtjen e demokracisë në vend.




















