Gjykata e Lartë ka nisur procedurën për ndryshimin e pjesshëm të një prej praktikave të njësuara më të rëndësishme në fushën penale, që lidhet me vendimin unifikues nr. 7 të datës 14 tetor 2011 mbi masat e sigurimit personal.

Procedura është iniciuar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, me synimin për të siguruar një praktikë gjyqësore më të njëtrajtshme dhe në përputhje me standardet kushtetuese, legjislacionin shqiptar dhe ato të Konventës Evropiane për kufizimin e lirisë personale.

Nisma konsiderohet e rëndësishme për praktikën gjyqësore, pasi vendimi unifikues i vitit 2011 ka shërbyer për më shumë se një dekadë si referencë kryesore për gjykatat në interpretimin dhe zbatimin e masave të sigurimit personal në procesin penal.

Ky zhvillim shënon gjithashtu ushtrimin për herë të parë të kompetencës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, sipas nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale, për të kërkuar ndryshimin e pjesshëm të një praktike të njësuar të Kolegjeve të Bashkuara.

Sipas njoftimit zyrtar, seanca publike për shqyrtimin e kësaj çështjeje do të zhvillohet më 9 prill 2026, në orën 09:30, në Gjykatën e Lartë.