Ministri Ferit Hoxha ka vlerësuar heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian kundrejt Kosovës. Në një postim në X, ai thotë se kjo rikonfirmon përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave europiane.
Hoxha shkruan se ky është kapitull i ri që mundëson qasje të plotë në fondet dhe ndihmën e BE-së, si dhe forcon procesin e integrimit. Kjo do të kontribuojë edhe në një rajon më të qëndrueshëm dhe rikonfirmon perspektivë europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Mirëpresim vendimin për heqjen përfundimtare të të gjitha masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Ky hap, edhe pse i vonuar, rikonfirmon qartë përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane, shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit konstruktiv rajonal.
Vendimi i sotëm hap një kapitull të ri—duke mundësuar qasje të plotë dhe pa pengesa në fondet e BE-së, asistencën dhe bashkëpunimin e gjithanshëm. Ai kontribuon në rindërtimin e besimit dhe forcon më tej besueshmërinë e procesit të integrimit evropian.
Avancimi drejt rrugës evropiane të Kosovës—përfshirë shqyrtimin pa vonesë të aplikimit për statusin e vendit kandidat—do të kontribuojë drejtpërdrejt për një rajon më të qëndrueshëm dhe më të sigurt, duke rikonfirmuar njëkohësisht perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shprehet ministri Hoxha.




















