Pas mbledhjes së Qeverisë këtë të enjte, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në një komunikim me mediat tha se Ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem për furnizimin e grupeve shqiptare me naftë, pasi mbi 90% e furnizimit vjen nga rrugë të tjera detare.

Karakaçi tha se rritja e çmimit të naftës në vend është një mekanizëm që mund të rritet në çdo moment dhe se po mbikqyret, por aktualisht siç e theksoi dhe ai, nuk është marrë një vendim për ngritjen e Bordit të Transparencës.

“Ka dy elemente që vlerësohen në periudha krize: e para është mungesa e produktit në treg. Siç e kemi komunikuar edhe më parë, Ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem furnizimi për grupet shqiptare, pasi pjesa më e madhe, mbi 90%, e furnizimit me lëndë nafte vjen nga rrugë të tjera detare.

Sa i përket rritjes së çmimit, mekanizmi ekziston dhe mund të aktivizohet menjëherë. Me një vendim të Këshillit të Ministrave kemi vlerësuar që, përmes komunikimeve me grupet e interesit dhe shoqatat e hidrokarbureve, ato do të kuptojnë rëndësinë e situatës, në mënyrë që të mos jetë e nevojshme ngritja e menjëhershme e Bordit të Transparencës.

Bordi është një instrument që mund të aktivizohet shumë shpejt, por deri tani nuk është marrë një vendim i tillë”, tha Karakaçi.