Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, deklaroi se përplasjet mes SHBA-së dhe Iranit tregojnë se vendimi i vendit të tij për të ruajtur arsenalin bërthamor ishte i drejtë.
Në një fjalim para Asamblesë Supreme Popullore, Kim akuzoi Uashingtonin për akte terrorizmi dhe agresioni të sponsorizuara nga shteti, duke shtuar se situata aktuale dëshmon qartë se Koreja e Veriut nuk duhet të heqë dorë nga armët e saj bërthamore.
Ai theksoi se statusi bërthamor i vendit është tashmë “i pakthyeshëm”, duke përforcuar qëndrimin e Phenianit kundër çdo përpjekjeje për denuklearizim.
Komentet e tij vijnë në një moment kur presidenti amerikan Donald Trump ka sinjalizuar gatishmëri për të rifilluar bisedimet me Korenë e Veriut. Megjithatë, Kim ka lënë të kuptohet se çdo dialog i ardhshëm do të jetë i mundur vetëm nëse SHBA-ja e njeh vendin e tij si fuqi bërthamore dhe heq dorë nga ajo që ai e quan “politikë armiqësore”.
Ndërkohë, zhvillimet e fundit përfshijnë edhe testime të reja armësh nga Koreja e Veriut, përfshirë lëshime raketash që besohet se janë të afta të mbajnë mbushje bërthamore.
Analistët vlerësojnë se tensionet në Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet me Iranin po ndikojnë drejtpërdrejt në strategjinë e sigurisë së Phenianit, duke e bërë më të vështirë rifillimin e negociatave për çështjen bërthamore.




















