Përshkallëzimi i luftës në Iran nuk prek vetëm Gjirin Persik, por edhe Evropën. Përfshirja e saj në konflikt është tashmë pothuajse një fakt i kryer. Jo për BE-në në tërësi, por për disa shtete të veçanta. Dhe kjo po ndodh me kërkesë të SHBA-ve. Ndërsa Komisioni Evropian heziton pa arritur të marrë një qëndrim të qartë, nga Uashingtoni ka ardhur një kërkesë mjaft specifike. Jo për të gjithë 27 vendet, por për Britaninë e Madhe dhe Francën. Këto më pas e kanë zgjeruar ftesën edhe për Gjermaninë: të marrin pjesë të paktën në mbrojtjen e vendeve aleate të Gjirit Persik dhe Jordanisë, duke liruar trupat amerikane nga një pjesë e angazhimit. Pra, në një funksion “mbrojtës” dhe jo “sulmues” ndaj Teheranit.
Kërkesa është përcjellë përmes kanaleve ushtarake, pas refuzimit të Londrës për të marrë pjesë aktivisht në sulmet kundër Pasdaranëve, dhe për këtë arsye është edhe më e ngutshme. Nuk është rastësi që dje presidenti francez Emmanuel Macron ka folur hapur për një “mundësi përplasjeje në kufijtë tanë”.
Një frazë që nuk e përjashton përfshirjen, por përkundrazi e parashikon. Po kështu kryeministri britanik Starmer, pas një refuzimi fillestar, ka autorizuar trupat amerikane të përdorin bazat ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar.
“Është e qartë se përgjigjja e tepruar e Teheranit është bërë një kërcënim për popullin tonë, interesat tona dhe aleatët tanë dhe nuk mund të injorohet.”, tha ai. Edhe Gjermania ka filluar të theksojë nevojën për të mbrojtur ushtarët gjermanë të angazhuar në zonë. Me pak fjalë, një formë pjesëmarrjeje në konflikt është bërë pothuajse e pashmangshme.
Për Parisin, Londrën dhe Berlinin, kjo është gjithashtu një mundësi. Një mundësi për të rivendosur marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë mbi një bazë më të barabartë dhe me njohje reciproke të rolit si aleatë, edhe në perspektivën e Ukrainës.
Pa llogaritur që pak kush dëshiron të rrezikojë t’i dorëzojë vendet e Gjirit (furnizues të mëdhenj të naftës) një “miqësi” me Kinën nëse Evropa nuk siguron praninë e saj. Mbrojtja e vendeve të Gjirit do të thotë edhe mbyllje e derës për Pekinin. Në këtë kuadër, disa “ndërmjetësues” mes kryeqyteteve të Evropës dhe SHBA-ve vënë në dukje se nuk ka qenë rastësi që Italia është informuar për operacionin nga Izraeli vetëm kur sulmi kishte nisur. Disa marrëdhënie me Libanin kanë peshën e tyre. Nuk ka qenë krejt rastësore që në Romë nuk ka mbërritur e njëjta kërkesë si në Francë dhe Britani: të mbrojnë zonën me avionë luftarakë dhe jo vetëm të furnizojnë me armë.
Por rreziku i zgjerimit të konfliktit varet edhe nga zgjedhjet që do të bëjë Teherani: vendimi për të drejtuar dronët drejt bazave britanike në Qipro mund të sjellë në fakt përfshirjen e Bashkimit Evropian.
Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Komisionit, është analizuar edhe mundësia që Qipro t’i referohet nenit 42, paragrafi 7 i Traktatit të BE-së, ai i ndihmës ushtarake reciproke mes 27 vendeve në rast rreziku. Për momentin Nikosia nuk e ka kërkuar aktivizimin, por nëse sulmet mbi ishull do të intensifikoheshin, nuk do të përjashtohej. Edhe sepse Qipro, duke mos qenë pjesë e NATO-s, nuk do të kishte alternativë tjetër. Ndërkohë Aleanca Atlantike po qëndron jashtë përplasjes: siç shpjegoi dje komandanti suprem i NATO-s në Evropë, Alexus Grynkewich, do të ndërhynte vetëm për të mbrojtur një nga partnerët që do të kishte nevojë. Dhe i vetmi anëtar i zonës është Turqia.
Për më tepër, BE po forcon misionin Aspides, i krijuar për të mbrojtur anijet tregtare në Gjirin Persik. Në fakt, transporti detar po bëhet një nga pasojat emergjente të kësaj lufte. Nga e cila Evropa nuk po arrin të qëndrojë larg. Dhe që rrezikon ta sjellë luftën pranë shtëpisë. (Shkrim nga Claudio Tito për La Repubblica)




















