Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në “Shtëpinë e Biznesit”, një takim të zgjeruar me furnizuesit e naftës, me qëllim përballimin e përbashkët të impaktit të krizës aktuale globale dhe mbrojtjen sa më të madhe të konsumatorëve nga rritja e çmimeve.

Në takimin ku morën pjesë Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Karakaçi, si dhe Ministri i Financave Petrit Malaj, Kryeministri Rama theksoi se situata e rënduar nga lufta e SHBA dhe Izraelit kundër regjimit kriminal të Teheranit ka sjellë si një nga pasojat edhe problematikën e rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, me pasoja të mundshme edhe mbi tregun në Shqipëri.

Kryeministri vlerësoi qasjen e përgjegjshme të operatorëve të tregut vendas, duke nënvizuar se, ndonëse çmimet në bursë kanë shënuar rritje deri në 40%, në Shqipëri kjo rritje ka qenë më e moderuar, si rezultat i bashkëpunimit konstruktiv mes qeverisë dhe furnizuesve.

“Ne e kemi marrë qysh në fillim hapat e nevojshëm për të ringritur menjëherë urën e komunikimit me ju, në kushtet e një krize të re me pasoja të mundshme edhe mbi tregun në Shqipëri, duke pasur parasysh praktikat e mëparshme dhe sidomos periudhat, kur për shkak të krizave ndërkombëtare, kujtoj këtu krizën e shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, për shembull, na është dashur që të marrim një rol në gjithë procesin e trajtimit të mallit për të cilin jemi mbledhur që është nafta. Dëshiroj të shpreh në njëfarë mënyre konsideratën pozitive për qasjen tuaj, e cila ka qenë në këtë fazë një qasje e përgjegjshme, pasi nëse në tërësi në treg përmes bursave është konstatuar një rritje deri në 40% e çmimit, gjë që shkakton një presion të madh mbi zinxhirët e furnizimit në Shqipëri, çmimi është rritur, por në mënyrë shumë më të moderuar sesa rritja që është parë për shkak të rritjes së çmimit bursë në disa vende të tjera.” – u shpreh kryeministri Rama.
Në vijim, Kryeministri evidentoi rëndësinë e rezervave aktuale të naftës, dhe bëri të ditur se është në konsultim publik projektligji për rezervën shtetërore, që synon garantimin fizik të furnizimit për një periudhë deri në 100 ditë. Gjithashtu, ai njoftoi për një nismë në proces për krijimin e një distributori shtetëror në tregun e naftës, me qëllim sigurimin e sasive të nevojshme dhe lehtësimin e marrëdhënieve tregtare për operatorët vendas përmes lidhjeve të drejtpërdrejta me kompanitë furnizuese.

“Jemi në punë për të finalizuar edhe një nismë që kemi ndërmarrë për të futur në treg si distributor, garant dhe distributor shumice, një faktor shtetëror, gjë që ne besojmë do ta bëjmë edhe më të lehtë për ju të gjithë punën, pasi do të garantojë sasitë e nevojshme duke patur edhe mbështetjen shtetërore dhe nga ana tjetër do të lehtësojë të gjitha marrëdhëniet me të tretët, me synimin për një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kompanitë.” – njoftoi Kryeministri, ndërkohë që u bëri thirrje furnizuesve të vijojnë të ruajnë ekuilibrin aktual në treg dhe të shmangin reflektimin e plotë të krizës mbi konsumatorët, duke theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi mbeten rruga më efektive për menaxhimin e situatës.