Kuvendi i Shqipërisë ka votuar këtë të enjte kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste Belinda Balluku dhe autorizimin për arrestimin e saj.

Pas prezantimit të dy raporteve në seancën plenare nga përfaqësuesit e shumicës dhe opozitës, Ulsi Manja për Partinë Socialiste dhe Oerd Bylykbashi për opozitën, kërkesa u hodh në votim.
Rezultati përfundimtar ishte 82 vota kundër heqjes së imunitetit dhe 47 vota pro, duke rrëzuar kështu kërkesën e SPAK.

Seanca plenare e kësaj të enjteje kishte në fokus pikërisht shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, e cila ndodhej në Kuvend që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar. Paralelisht me zhvillimet brenda Parlamentit, opozita kishte paralajmëruar edhe një protestë para godinës së Kuvendi i Shqipërisë.

Mbrëmjen e një dite më parë, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u kishte dërguar mesazh deputetëve të mazhorancës për të qenë të pranishëm në seancë, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në votim.
Gjatë diskutimeve në Kuvend u prezantuan dy qëndrime të kundërta politike. Socialistët argumentuan se Balluku, e cila nuk mban më funksione ekzekutive në qeveri, nuk përbën rrezik për prishjen e provave apo për arratisje dhe se hetimet nga SPAK mund të vijojnë pa masën e arrestit me burg.

Nga ana tjetër, opozita theksoi se, pavarësisht largimit nga postet ministrore, ekziston rreziku që ajo të ndikojë tek dëshmitarët ose të ndërhyjë në provat e hetimit.
Në rendin e ditës së seancës plenare u përfshinë edhe disa çështje të tjera, mes tyre projektligje për marrëveshje ndërkombëtare dhe ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare. Mes emrave të përfolur për ndryshime janë Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu, të cilët pritet të propozohet të angazhohen në komisione të ndryshme parlamentare.