Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u miratua vendimi për dhënien e gradës “Drejtues Madhor” dhe emërimin e Skënder Hita në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Ministri i Brendshëm, Belsfor Lamallari, njoftoi se vendimi është marrë mbi bazën e meritës, profesionalizmit dhe integritetit. Hita rezultoi ndër kandidatët më të vlerësuar në një proces konkurrues, duke treguar përvojë të spikatur, vizion strategjik dhe angazhim ndaj ligjit dhe qytetarëve.

“Policia e Shtetit ka një rol kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Drejtimi i saj kërkon aftësi profesionale, ndershmëri, etikë dhe përgjegjësi të lartë,” tha Lamallari, duke theksuar se nën drejtimin e Hitës, institucionet do të vazhdojnë të forcojnë performancën dhe të rrisin besimin e qytetarëve.

Sipas ministrit, emërimi i Hitës synon të përmbushë misionin e Policisë së Shtetit në shërbim të sigurisë dhe shtetit të së drejtës.