KJO ËSHTË LUFTA E TRETË E GJIRIT dhe shpërthimi i radhës i një konflikti, që nga momenti kur Shtetet e Bashkuara morën rolin e fuqisë dominuese dhe ndikimit kryesor në Lindjen e Mesme në fund të Luftës së Ftohtë. Dhe ndoshta është më e rrezikshmja, më me pasoja dhe më e paqarta nga të gjitha.

Shkatërrimi dhe kaosi që po përhapen në rajon konfirmojnë statusin e Lindjes së Mesme si “fabrika kryesore e krizave” në botë, por njëkohësisht shtrojnë pyetjen se si presidentët amerikanë deklarojnë se po i japin fund ndërhyrjes së SHBA-së, vetëm për t’u zhytur sërish.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, SHBA ka synuar të rrëzojë një qeveri në Lindjen e Mesme mesatarisht një herë në çso dekadë, dhe pothuajse në çdo rast, si vendi në fjalë ashtu edhe vetë SHBA kanë dalë më keq, pasi me kalimin e kohës janë shfaqur pasoja të papritura. Ndërsa Donald Trump nis një tjetër ndryshim regjimi, këtë herë në Iran, një vend me 90 milionë banorë, ndjesia e frikës është e thellë.

Tashmë afatet po zgjaten dhe po rritet bindja se Trumpi po luan bixhoz me fatin e një vendi për të cilin di shumë pak.

Lufta e parë e Gjirit, në vitet 1990-91, kishte të paktën avantazhin e një qëllimi, shtrirjeje dhe kohe të kufizuar. Pasi Saddam Husseini pushtoi Kuvajtin në një akt të shtrembëruar panarabizmi, George H. W. Bushi i dëboi forcat irakiane relativisht kollaj, duke ruajtur një koalicion të gjerë arab, pjesërisht duke siguruar që Izraeli të mos reagonte ndaj provokimeve të Saddamit.

Duke respektuar mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të çliruar Kuvajtin, por jo për të pushtuar Irakun, Bushi vendosi të mos ndjekë ushtrinë irakiane deri në Bagdad. Fushata tokësore zgjati vetëm 100 orë.

Pabarazia e asaj lufte ka paralele me atë që po ndodh në Iran. Intelektuali arab Azmi Bishara e quajti atë një model lufte, ku njëra palë lufton pa rrezik dhe tjetra pa shpresë: “njëra palë humb rastësisht disa njerëz, tjetra humb qindra-mijëra me forcë armësh”.

Por lufta la pasoja. Kurdët dhe myslimanët shiitë mësuan rrezikun e përdorimit nga një president amerikan, vetëm për të zbuluar se Bushi do të rrinte mënjanë teksa ata shtypeshin. Është një mësim që kurdët e Iranit mund ta kenë studiuar.

Lufta solli gjysmë milioni trupa amerikane në Lindjen e Mesme dhe, siç shkruan Marc Lynch në librin “The Ruination of a Region”, ato “nuk u kthyen kurrë në shtëpi, por u shpërndanë në një arkipelag bazash amerikane në Gjirin Persik, Levant dhe Turqinë jugore për të zbatuar kontrollin ndaj Irakut dhe Iranit”.

Këto baza, sot nën sulm nga Irani, u bënë “themeli infrastrukturor i dominimit amerikan”.

Në luftën e dytë të Gjirit, e njohur si Lufta e Irakut (2003-2011), George W. Bushi vendosi se Saddami duhej të largohej për shkak të armëve të supozuara të shkatërrimit në masë.

Pavarësisht nëse SHBA hyri në luftë mbi bazën e një gënjeshtre apo keqkuptimi, ajo hyri pa ditur mjaftueshëm për vendin që po pushtonte dhe për forcat që do të shpërthenin pas rënies së Saddamit.